×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    SKANDALOZE: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon të mbyllet, Insajderi ju sjell detaje

    Insajderi
    23 May 2024 - 11:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sektorin e bujqësisë e paraqesin çdoherë në sukseset e tyre. Qeveria Kurti në planprogramin e tyre e kane edhe zotim reformimin e sektorit të bujqësisë. Mirëpo përgjatë mandatit të tyre, ky sektor po rrezikon të mbesë pa kuadro. Kjo, pasi që Rektorati i UP’së ka dështuar të rifunksionalizojë objektin për Fakultetin e Bujqësisë. Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë edhe vendimin për mos-akreditimin e programeve studimore të këtij fakulteti. Ju është drejtuar me pyetje institucionit të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrisë së Arsimit për ta pyetur se çfarë kanë bërë për ta mundësuar ri-akreditimin e këtyre programeve, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë përgjigje.

    Bujqësia është paraqitur si prioritet nën Qeverinë Kurti. Në vazhdimësi janë ndarë subvencione për bujqit. Por, fakulteti që nxjerr kuadro për t’i gëzuar këto subvencione është drejt mbylljes.

    Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin për mos-akreditim të programeve të studimit të Fakultetit të Bujqësisë. Programet janë si në vijim: Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit, Prodhim Shtazor, Shkencat e Ushqimit, teknologji Ushqimore me Bioteknologji, Ekonomi e Bujqësisë, Shkencat e Aplikuara në Zootekni dhe Mjekësi Veterinare.

    Për të gjitha programet, siç precizohet në vendim tek arsyetimi i ekspertëve ndërkombëtarë për akreditim, plotësohen të gjitha standardet për akreditim, vetëm atë të infrastrukturës jo. Pra, problemi me objektin i lë të pa akredituara programet e Fakultetit të Bujqësisë.

    Për programin e studimit: Teknologji Ushqimore me Bioteknologji, BSc 180 ECTS, nga shtatë fushat e standardeve të akreditimit, ky program është vlerësuar se i përmbush: Substancialisht gjashtë dhe nuk e përmbush një. Meqenëse fusha e infrastrukturës për këtë program studimi nuk është përmbushur, dhe kjo fushë është e detyrueshme të plotësohet së paku në nivel substancianl sipas Manualit për Akreditim, rekomandimi i ekspertëve ndërkombëtar është që ky program të mos akreditohet derisa objekti i ri të kompletohet dhe të jetë i shfrytëzuar“.

    Për mosfunksionalizimin e objektit u shpenzuan mbi shtatë milionë euro. Objekti ka qenë i keq-planifikuar, pasi që janë shkelur kushtet teknike të vendosura nga KOSTT-i prej kompanisë fituese të tenderit për ndërtimin e objektit. Problemi i objektit të Fakultetit të Bujqësisë është një dekadë i vjetër.

    Peng i mosfunksionalizimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka mbetur çështja e një largpërçuesi të tensionit të lartë që ndodhet afër objektit.

    Kushtet teknike të lëshuara nga KOSTT-i për distancën prej së paku shtatë metrash nga largpërçuesi nuk u respektua kur filloi të ndërtohej objekti.

    Insajderi iu është drejtuar me pyetje Zyrës së Kryeministrit dhe ministrisë së Arsimit për ta pyetur se çfarë hapash konkret kanë ndërmarrë për parandalimin e mbylljes së fakultetit, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë përgjigje.

    Për ta akredituar këtë fakultet, Qeveria mund të marrë vendim për ta cilësuar si program me interes nacional. Përmes këtij vendimi, Këshilli Shtetëror i Cilësisë mund ta akreditojë edhe nëse nuk plotësohet njëra nga standardet, siç e parasheh kuadri ligjor.

    Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka pasur deklarata lavdëruese për sektorin e bujqësisë. Madje, ai thoshte se fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon nën qeverisjen e tij.

    “Aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë. Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë. Fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon”, deklaronte ai.

    Në pyetjet, për të cilat s’mori përgjigje Insajderi, parashtrohet pyetja edhe nëse Qeveria do ta marrë si vendim që ta shpallë fushën e studimeve të Bujqësisë si program me interes nacional.

    Përgjatë ditës së sotme është paralajmëruar seancë plenare, ku në njërën nga pikat për shqyrtim është edhe statuti i Universitetit të Prishtinës. Mbetet të shihet nëse do të diskutohet lidhur me fatin e Fakultetit të Bujqësisë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark