Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Institutin e Mjekësisë Ligjore e cila mbikëqyret nga Ministria e Drejtësisë, ku dy familje kosovarë janë terrorizuar pas një ngatërrese serioze me trupat e viktimave. Mungesa e përgjegjësisë nga ana e stafit menaxhues dhe profesional ka nxjerrë në pah një skandal të madh që po hetohet nga autoritetet kompetente. Gazeta Insajderi ju sjell detajet ekskluzive.
Të martën, më 28 janar 2025, janë raportuar dy vdekje të dyshimta: njëra në fshatin Çerç të Istogut dhe tjetra në Obiliq, Prishtinë.
Pas urdhrit të Prokurorit, të dy rastet u dërguan për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Autopsitë u kryen më 29 janar, dhe më pas, instituti përdori vetura zyrtare për të dorëzuar trupat tek familjet përkatëse.
Por, gjatë procesit të ngarkimit të trupave, siç mëson Gazeta Insajderi ka ndodhur një ngatërresë tragjike: kufoma e viktimës nga Istogu u dorëzua gabimisht në Obiliq, dhe ajo e viktimës nga Obiliqi u dorëzua në Istog.
Pas shqetësimit të ngritur nga familjarët në Obiliq, u kuptua gabimi dhe trupat iu kthyen tek familjet e duhura.
Zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, konfirmoi se ka dyshime për këtë gabim, por shtoi se ende po zhvillohet një hetim i brendshëm për të kuptuar më saktë se çfarë ka ndodhur.
Ai tha se për momentin nuk janë ndërmarrë masa disiplinore.
“Jemi duke e hetuar si rast, jemi duke bërë hetim të brendshëm dhe si t’i kemi informatat e brendshme me ditë se çka ka ndodhë, sepse ende nuk e kemi saktë se çka ka ndodhë. Por, është ky dyshim, po”, tha Haliti për Insajderin.
Ndërkohë, familjarët e viktimës në Obiliq kanë raportuar rastin në polici, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare për hetimet nga ana e Policisë së Kosovës.
/GazetaInsajderi