
Kosova po përballej e sulme që i paraprinë aktit terrorist mbi infrastrukturën e Ibër-Lepencit. Në fqinjin verior po mbahet konferenca “Ditët serbe të sigurimeve”. Aty, siç ka zbuluar Insajderi, po merrte pjesë i pari i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Shefik Gërbovci- institucion që mbikëqyrët nga Banka Qendrore e drejtuar nga Ahmet Ismaili- personi që u bë i famshëm duke kërcyer pasi po kërcente Kryeministri Kurti në stadium.
Visar Duriqi
Më 29 nëntor infrastruktura e rëndësishme e Ibër Lepencit ishte goditur nga një sulm që Kryeministri Kurti shpejt e shpalli terrorist e të orkestruar nga Rusia e Serbia.
Para këtij sulmi, pati dhe dy incidente tjera ku u goditën objektet komunale në Veri.
E, derisa institucionet ligj-zbatuese po përballeshin me këtë valë sulmesh, një përfaqësues i Kosovës ishte në Serbi. Hiç më pak se sa në “Ditët serbe të sigurimeve”, konferencë dy ditore që u mbyll më 28 nëntor.
Shefik Gërbovci, u.d. Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), institucion që mbikëqyret nga Banka Qendrore e drejtuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, ishte në këtë konferencë.
As BKS-ja, por as organizata homologe serbe që e organizoi këtë konferencë me titullin “Lëreni të djeshmen”, nuk dhanë ndonjë njoftim se përfaqësuesi i Kosovës ishte në këtë ngjarje.
Gazeta Insajderi e ka kuptuar qe Gërbovci dhe Edona Ahmeti, Drejtoresha e Kartonit të Gjelbërt, ishin në këtë ngjarje duke parë videot promovuese që publikoi shoqata serbe e sigurimeve.
Gazeta Insajderi e ka pyetur u.d. Drejtoein e BKS-se, Shefik Gërbovci, se me ftesë të kujt ishte në këtë konferencë. Se cili ka qenë rezultati në favor të BKS-se me pjesëmarrjen e tij atje. Dhe, se a ishte informuar ose vënë në dijeni Guvernatori Ismaili, Kryeministri Albin Kurti apo Ministri i Financave për këtë pjesëmarrje, por i njëjti ende nuk është përgjigjur.
As Guvernatori Ismaili, Kryeminitri Kurti e Ministri Murati nuk kanë dhënë përgjigje nëse ishin në dijeni që BKS, e mbikëqyrur nga BQK-ja do të merrte pjesë në konferencën “Ditët serbe të sigurimeve”.
“Organizuar nga Shoqata e Siguruesve të Serbisë, u mbajt e teta “Ditët Serbe të Sigurimeve” – një konferencë tradicionale kushtuar tërësisht sigurimeve. Në hapje të Konferencës, Guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq, deklaroi se treguesit kryesorë të veprimtarisë së sektorit të sigurimeve në dhjetë vitet e fundit kanë shënuar trend pozitiv dhe janë dyfishuar. Ajo saktësoi se totali i aktiveve, rezervave teknike, kapitali dhe primi janë mbi dyfishuar që nga viti 2014. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e primit të sigurimit për banor nga 83 në 200 euro, ndërsa premia totale është rritur që nga viti 2014 nga 69.4 miliardë dinarë në 155.3 miliardë dinarë në vitin paraprak. Dhe shuma e kërkesave të shlyera është më shumë se dyfishuar në dhjetë vitet e mëparshme – nga 29.8 në 82.1 miliardë dinarë”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga organizata në Serbi, por nuk bëhet me dije se Kosova e pati përfaqësuesin aty.
“Ditët serbe të sigurimeve” sivjet u mbajtën me emrin “Lëreni të djeshmen…”, që është një mesazh për të gjithë që ta lënë pas të kaluarën, tha Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve, Dushko Jovanoviq.
Nga videot promovuese nuk mësohet se ka pasur funksion negocimi, ose diskutim teknik, por ka qenë më shumë një konferencë e një organizate serbe për të festuar sukseset e tyre.
Shefik Gërbovci tash e disa muaj drejton me BKS-në. Një konkurs, siç raportoi Insajderi, dyshohej se ishte kurdisur pasi që u bë i brendshëm dhe pritej që të zgjidhje po ky person.
Ishte raportimi i Insajderit që shtyu BQK-në që të obligoi BKS-në që të shpall konkurs të jashtëm i cili është mbyllur më 26 nëntor.