Në maj të këtij viti Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte futur në Listën e Zezë të bizneseve firmën “Matkos Pharm”. Madje edhe vet e kishte konfirmuar se deponoi dokumente të falsifikuar. Vetëm 16 ditë pasi e futi në listë të zezë ia pranoi, çuditërisht, ankesën për një tender. Pak javë më vonë, duke qenë në Listë të Zezë, OShP-ja edhe ia miratoi ankesën kësaj firme
Në fillim të majit të këtij viti Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte marrë vendim që firma “Matkos Pharm”, pronë biznesmenit Kastriot Vitija, që është vëllai i Labinot Vitisë që ishte arrestuar në rastin e madh penal “Brezovica”, të futej në Listën e Zezë të bizneseve. Efekti: kjo kompani e ka të ndaluar që për një vit të marr pjesë në çfarëdo aktiviteti të prokurimit publik.
Krejt procesi kishte nisur në tetor të vitit të kaluar kur Komuna e Prishtinës i kishte kërkuar OSHP-së që “MatKos Pharm” të futej në këtë listë të zezë të bizneseve pasi që në tenderin për furnizim me pajisje mjekësore kishte paraqitur të dhëna të rreme e dokumente të falsifikuara.
Si rrallë herë, OShP-ja e mori vet në dorë verifikimin e dokumentit.
Në mars të këtij viti, ky institucion që njihet edhe si ‘Gjykata e tenderëve’ i dërgoi një shkresë vet kompanisë që kishte lëshuar certifikatën e kontestuar. Më 28 mars të këtij viti, OShP-ja brenda ditës mori përgjigje nga kompania për të cilën “MatKos Pharm” thoshte se e ka marrë certifikatën se ajo është e rreme.
Pas verifikimit në mënyrë të pavarur të këtij fakti, OSHP pastaj vendos që kompaninë e Kastriot Vitisë ta hedh në listën e bizneseve që iu ndalohet pjesëmarrja nëpër tenderë. Kjo masë për “MatKos Pharm”, sipas OSHP-së vlen deri më në muajin maj 2024.
Për çudi vet OShP-ja, edhe pse vendimin e mori me 2 maj, më 18 maj ia kishte pranuar po kësaj firme një ankesë kundër Ministrisë së Shëndetësisë për tenderin “Furnizim me Preparate Stomatologjike për DSHB”. Ankesën ia pranoi në periudhën kur veç kishte hyrë në fuqi ndalesa njëvjeçare për këtë firmë që madje edhe të merrte pjesë në prokurime publike.
OShP-ja nuk u ndal me kaq. Pos që ia pranoi ankesën në periudhën kur vet e futi në Listën e Zezë, më 20 qershor mori edhe vendim në favor të “Matkos Pharm” e kundër Ministrisë së Shëndetësisë.
Deri tash OShP-ja nuk ka dalë me ndonjë sqarim publik se si ndodhi që të pranohet, e madje edhe të miratohet ankesa e një kompanie që e ka të ndaluar pjesëmarrjen në tenderë.
AVONET do ta denoncoi Vedat Poterqoin në Prokurori
Por, Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv në OJQ-në AVONET, dhe njohës i prokurimit publik, ka dhënë një mendim të tij për këtë rast, dhe në një prononcim për Insajderin ai thotë se ky veprim i OShP-së është i kundërligjshëm. Përmend edhe me emër anëtarin e Bordit të OShP-së përgjegjës për rastin.
“OSHP me vendimin e datës 20.06.2023, në përbërje nga: Vedat Poterqoi panelist individual, nuk ka respektuar LPP sepse vetë OSHP ka nxjerr vendim dhe ka ndaluar por, në këtë rastë vendimi i datës 20.06.2023, është në kundërshtim me nenin 99 të ligjit të prokurimit”, ka thënë Gashi për Insajderin
Ai ka sqaruar se AVONET e kishte monitoruar tenderin Komunës së Prishtinës që e futi në Listën e Zezë firmën ‘Matkos Pharm” dhe thotë se ishte organizta AVONET që “kishte identifikuar gjatë hulumtimit një CERTIFICATE me nr 16 0155 SJ, e cila njihet si ISO standard dhe gjatë verifikimit të dokumentit kemi identifikuar se në këtë dokument ka ndërhyrje dhe është bërë fushën e emërtimit dhe ndryshimin e datave dhe kjo për AVONET është dokument i falsifikuar dhe nga kjo kishte iniciuar kërkesë për inicim të hetimeve dhe kishte kërkuar nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prishtinës që të filloj procesin për të futur në listën e zezë dhe Komuna e Prishtinës me datën 20.10.2022, kishte bërë kërkesë për marrjen e masave sipas LPP të nenit 99, ku OSHP-ja me datën 08.05.2023 kishte aprovuar kërkesën e Komunës së Prishtinës dhe duke vendosur masë ndaj OE “MATKOS PHARE” shpk, duke ja ndaluar e drejta për të marr pjesë në aktivitet e prokurimit publike për një periudhë një vit”.
AVONET, thotë Kenan Gashi, në lidhje me vendimin në favor të “Matkos Pharm” “do të inicioi rast për anëtarin e bordit dhe njëherit panelistit individual Vedat Poterqoi, për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtarë dhe po ashtu do të kërkojmë nga kryetarja e OSHP-së për shfuqizimin e vendimit”.
Vendimi i dyshimtë-Milionerët e “Eurokos” përfitojnë nga dhëndri i tyre në bordin e OSHP-së
Insajderi, javë më parë ka raportuar edhe për një aferë tjetër ku ishte i përfshirë Vedat Poterqoi.
Hulumtimi i Insajderit gjeti se tek tenderi milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale të vendit, për verës e dimrit, deri në vitin 2025 i Ministrisë së Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, ndryshime se kush do të shpërblehet e kush jo, kishte bërë edhe OShP-ja
Ky hulumtim zbuloi se në mesin e ankesave që kishte refuzuar OSHP-ja, ishte edhe një ankesë voluminoze e shoqëruar edhe me prova, e një konzorciumi të kryesuar nga kompania “Via Egnatia”, por mori vendim në favor të konzorciumit të firmave “Eurokos”, “VIA SHPK” dhe “Kosova Asfalt”.
Insajderi kishte zbuluar lidhje familjare mes pronarëve të “Eurokos” dhe anëtarit të Bordit të OSHP-së, Vedat Poterqoi.
Vendimi i OSHP-së që favorizoi ketë konzorcium të firmave që lidhen me “Eurokos”-in ishte publikuar më 30 mars 2023. Emërtimi që i dha këtij tenderi Ministria e Infrastrukturës është Mirëmbajtja verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2022/ 2023, 2023/2024 dhe 2024/2025, për Lot Prishtina-1,Lot 3 Prishtina 3, Lot 13 Gjilani 2, Lot 6 Peja 1”.
Falsifikime. Fatura fiktive. Dokumente të dyshimta. Ishin këto disa prej pretendimeve që kompanitë që patën deponuar ankesa kundër këtij tenderi afro 30 milionësh të Ministrisë së Aliut.
Ankesat, që janë edhe publike, ndër të tjera përmendnin edhe shkelje të bëra nga vet konzorcoimu që OSHP-ja e favorizoi me vendim, “VIA SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk; DioBes SH.P.K.; EUROTITAN SH.P.K.”, e që pronarët janë kryesisht familjarë mes vete.
VIA SH.P.K.është kompani në pronësi të Drilon Shamollit, kurse EUROKOS HOLDING SH.P.K. është në pronësi të Ylber Shamollit, dhe po e njëjta është e regjistruar si firmë edhe në Shqipëri, derisa i njëjti ka në pronësi edhe firma të tjera në Kosovë, përfshirë edhe aksione në një hidrocentral.
Lidhjen familjare mes tyre dhe anëtarit të Bordit të OSHP-së, në një përgjigje për Insajderin, e pati konfirmuar edhe ky institucion.
“Pronaret e kompanive “Eurokos” dhe “VIA SHPK”, janë kushërinj të bashkëshortes se z. Poterqoi”, thuhej në përgjigjen e OSHP-së për Gazetën Insajderi.
Por, sipas OSHP-së, “shkallët e lidhjeve të gjakut lidhja e pronarëve të kompanisë së cekur dhe anëtarit të panelit shqyrtues të OSHP-së, konsiderohet si lidhje e shkallës së katërt, andaj e njëjta nuk përbënë ndonjë konflikt interesi sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”.
Në përgjigjen për Gazetën Insajderi, OSHP deklaroi se sipas tyre, “Poterqoi ka deklaruar se deri te vendim marrja e lartcekur është arritur në përbërje të paneleve si dhe se ka dhënë kontributin profesional duke deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje apo ndikimi nga jashtë për të dhënë mendimin me bindje të plotë, të pavarur dhe duke u bazuar në përpikëri në dispozitat ligjore për prokurimin publik”.
Edhe pse anëtari i Bordit të OSHP-së, institucionit që mori vendim që favorizoi “Eurokos”-in, është në lidhje familjare me pronarët e kësaj firme, në këtë institucion deklaruan se nuk ka pasur ndikim në këtë vendim.
Denoncime e arrestime për falsifikim kundër “Matkos”-it
Në vitin 2021 Liman Buzuku, Drejtor në “Matkos Pharm” ishte arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë nën dyshimin se kishte falsifikuar dokumente. Ai u kap pasi që dyshohej se me dokument të falsifikuar kishte aplikuar për një tender në komunën e Drenasit, më 5 maj, 2021.
Raportimet e asaj kohe bënin me dije se ai mund të mos ketë qenë rasti i parë i falsifikimet me dokumente në tenderë nëpër komuna.
Liman Buzuku, dyshohej se kishte falsifikuar referencën për kompaninë, “Matkos Pharm SH.P.K” të lëshuar kinse nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, për një kontratë në vlerë 56 mijë euro.
Buzuku kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është i gatshëm të marrë përsipër “se e pranon mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.
Dokumenti që dyshohet se është falsifikuar nga “Matkos Pharm” e se gjoja së është lëshuar nga QKMF Suharekë mbanë datën 19 gusht 2020.
Por, disa muaj pas Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, e kishte konfirmuar se dokumenti i paraqitur nga Buzuku nuk ishte protokolluar nga Zyra Juridike e këtij institucioni.
I njëjti dokument që ishte dorëzuar nga “Matkos Pharm” në tenderin e Komunës së Drenasit nuk mban as stemën dhe nuk figuron si dokument zyrtar i lëshuar nga QKMF – Suharekë.
Pronar hidrocentrali dhe vëllai i biznesmenit të famshëm për mashtrime në tenderë – Kush është i arrestuari i djeshëm për rastin Brezovica?
Aferat e “Matkos”, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria Themelore në Prizren, siç raportoi Insajderi kohë më parë, pas një denoncimi, ka konfirmuar se ka nisur grumbullimin e informacioneve e provave kundër kësaj kompanie.
“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se, rasti është në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe provave. Po ashtu, prokurori ka urdhëruar kryerjen e ekspertizave të nevojshme lidhur me këtë çështje penale“, thuhej në përgjigjen që denoncuesi ka marrë nga Prokuroria në Prizren në fillim të muajit shkurt të këtij viti.
“Aktualisht, rasti është në fazën e hetimeve. Për çdo eventualitet, do të njoftoheni me kohë”, thuhej tutje në këtë përgjigje.
Kërkesa për këto hetime ishte bërë në maj të vitit 2021 për tenderin “Furnizim me pajisje stomatologjike për nevojat e departamentit të stomatologjisë” në Komunën e Prizrenit. Tek në këtë vit është marrë konfirmimi për nisjen e hetimeve.
Rrjeti i organizatave ‘AVONET” në shkurt të këtij viti kishte reaguar për kompaninë farmaceutike “Matkos”, hisedarë nëpër tenderë publik në fushën e shëndetësisë.
AVONET denoncon publikisht se për këtë kompani ka identifikuar “dokumente të falsifikuara të kompanisë recidiviste në shtatë (7) dosje tenderësh”.
“Matkos Pharm” Shpk, nr Unik: 811159624, për vitin 2021 kishte ofertuar aktivitete të prokurimit në Ministri të Shëndetësisë, SHSKUK, Komunën e Prizrenit, Drenasit dhe Suharekës dhe një në vitin 2022 në Komunën e Prishtinës, ku AVONET gjatë hulumtimit të ofertave në dosjen e tenderit të OE “Matkos Pharm” Shpk kishte identifikuar dokumente të dyshuara si të falsifikuara tek REFERENCA, QARKULLIMET FINANCIARE (fatura fiktive), CERTIFICATË, ISO 13485:2012”, thuhet në një deklaratë për media të kësaj organizate.
Organizata në fjalë vlerësonte “se veprimet e tilla sipas Ligjit të Prokurimit Publik janë veprime të kundërligjshme dhe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës veprimet e tilla janë të dënueshme dhe janë të parapara si vepra penale”.
Këto janë aktivitetet e prokurimit që janë hulumtuar nga AVONET dhe organizata pretendon se janë identifikuar dokumentet të dyshuara për falsifikim:
1.“Furnizim me material stomatologjik për nevojat e departamentit të stomatologjisë”, me nr të prokurimit:622-21-1045-1-2-1 (KONTRATË E NËNSHKRUAR) dhe
2.“Furnizim me pajisje stomatologjike për nevojat e departamentit të stomatologjisë”, me nr të prokurimit:622-21-2378-1-2-1 ( NË PROCESIN E VLERËSIMIT); në Komunen e Prizrenit;
3. “FURNIZIM ME BARNA DHE MATERIAL SHPENZUES MJEKSOR” me nr të prokurimit: 611-21-1902-1-2-1 në Komunën e Drenasit;
4.”Furnizim me material medicinal nga lista esenciale” dhe numër të prokurimit: 00220-20-7558-111, në aktivitetin e prokurimit në SHSKUK;
5.“Furnizim me material laboratorik për testimin për SARS COV-2” dhe numër të prokurimit: 206-20-7645-111, në aktivitetin e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë;
6.“Furnizim me barna” dhe numër të prokurimit: 624-21-781-121, në Komunën e Suharekës;
7.”Furnizim me paisje mjekësore” me nr të prokurimit:616-22-5522-1-2-1, dyshimi i falsifikimit të dokumentit të CERTIFICATE, ISO 13485:2012 në aktivitetin e prokurimit në Komunën e Prishtinës.
“Pas të gjitha këtyre të gjeturave nga hulumtimet e ndryshme, AVONET-it ka bërë kërkesë për inicim të hetimeve në Prokurorinë e Shtetit”. thuhej në deklaratën e AVONET.
Kjo organizatë bënte me dije se Prokuroria Themelore e Prishtinës “ka ngritur një aktakuzë për rastin e aktivitetit të prokurimit në Komunën e Drenasit po ashtu Prokuroria Themelore e Prizrenit është duke hetuar rastet (tri) që janë nën përgjegjësin e tyre”./Gazeta Insajderi