×
  • Lajme
  • Lajme

     Skandaloze: Prokuroria e Prishtinës kërkoi ndërprerjen paraburgimit, lirohet admini i rrezikshëm i “Albkings”

    Insajderi
    19 October 2024 - 23:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edvin Nevzati u arrestua me 17 prill në cilësinë e menaxhuesit të grupit famëkeq “Albkings” në Telegram, ku vazhdimisht publikohen pamjet eksplicite të grave dhe vajzave.

    Arrestimi i tij kishte ardhur pas raportimeve të vazhdueshme të Gazetës Insajderi lidhur me funksionimin e këtij grupi.

    Por, kjo masë nuk zgjati më shumë se 6 muaj.

    Sipas një aktvendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Nevzati iu ndërpre masa e paraburgimit më 17 tetor të këtij viti.

    Në këtë vendim të siguruar nga Insajderi thuhet se: Prokuroria ka ardhur në përfundim se ndaj të pandehurit Edin Nevzati kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njejti në prezenc të mbrojtësit të tij,  avokatit Besnik Beqiri ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë për veprën penale”.

    Si funksionte grupi i tmerrshëm për të cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht?

    “Albkings”, ishte aktiv që nga janari i 2023-ës. Numëronte afro 100 mijë anëtarë. Mesazhet brenda një 24 orësh ishin të shumta, qindra-mijëra. Pjesëmarrësit e këtij grupi edhe shtantazhonin.

    Mënyra se si funksiononte grupi ishte tejet e ulët.

    Fillimisht publikohej një fotografi e një gruaje apo vajze, të tjerët me radhe pastaj shkruanin komente prej më të ndryshmeve. Pas fotos, iu publikoheshin të dhënat si emri e mbiemri, numri kontaktues, llogaria në Facebook apo Instagram, tutje edhe i vendosin çmimin “200-500 euro për një natë”, ndërkohë një tjetër shkruante “kjo është kurv* ta jep pa pare”, “m’doket so e Kosovës hiç” – e të tilla komente, me qëllimin e vetëm denigrimin/prishjen e reputacionit të këtyre grave/vajzave.

    Përveç fotografive, publikoheshin edhe video, ku shiheshin duke kryer akte seksuale, teksa tutje vazhdonin komentet linçuese, bullizuese e degraduese.

    Në një rast është parë një video tejet e rëndë, një grua më në moshë teksa shihet duke kryer akte seksuale me një fëmijë.

    Rastet e tilla, të shantazhit, të kërcënimit me publikim të fotografive intime shpesh kanë ditur të përfundojnë me fatalitet. I tillë është rasti i fundit që ndodhi, në fillim të vitit në Shqipëri përkatësisht në Durrës, një grua vrau veten si pasojë e bullizmit.

    41 vjeçarja kreu vetëvrasje si pasojë e hapjes së një profili denigrues në TikTok, ajo ishte nënë e katër fëmijëve. Viktima përdori një helm të rrezikshëm për t’i dhënë fund jetës, fotoksinë.

    E ndjera, sipas raportimeve ka qenë nën trysninë e opinionit publik, kolegëve të punës dhe bashkëfshatarëve, pasi fotoja e saj në Tik-Tok shoqëruar me fjalë fyese kishte marrë 30.000 shikime.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark