![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Sulmet e kandidatit për kryeministër nga radhët e LVV’së, Albin Kurti, s’kanë kaluar pa u ndëshkuar në deklaratat e paraqitura për konsum elektoral.
PZAP’ja e ka dënuar me pesë mijë euro Vetëvendosjen për atë që Kurti tha se prokurorët duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre më 10 shkurt.
“Sikur partitë e tjera opozitare edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti politike opozitare, ka me i humbë zgjedhjet me shkurt. Po a e dini çka pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputetë në Kuvend qysh mund t’i ketë naj parti opozitare, nëse ka fat me kalu pragun. E meqenëse partia më e re politike opozitare prokuroria e shtetit nuk do të ketë deputet në legjislaturën e 9-të, atëherë le të shkoj në shpi, me 10 shkurt s’ka pse del n’punë se s’janë tu bo punë, le të rrinë në shtëpi…. e jo më k’si prokurorsh që Milan Radojcicit ja hjekin urdhërarrestin, e ndjekin Rozeta Hajdarin”, deklaronte Kurti në një tubim zgjedhor.
PZAP’ja ka vlerësuar se përmes kësaj deklarate Kurti ka përdorur gjuhë nxitëse dhe ka tentuar të nxis ndjenja të urrejtje në raport me prokurorët.
“Sipas vlerësimit të Panelit, nga deklarimi i tillë i kandidatit për deputet, konsiderohet se është përdorë gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt të tjerëve, në kuadër të fushatës zgjedhore, dhe se kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore, konteksti dhe masa që i është drejtuar ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe te përçarjes në raport me prokurorin e shtetit, përkatësisht, prokurorët”, thuhet ndër të tjera në vendim të PZAP’së.
“Paneli vlerëson se partitë dhe kandidatët janë të detyruar të respektojnë etikën zgjedhore dhe të shmangin veprime që mund të sjellin pasiguri apo të përkeqësojnë atmosferën politike dhe ne përgjithësi atmosfere destabiliteti. Përdorimi i gjuhës së tillë mund të dëmtojë procesin demokratik dhe të rrisë tensionet në vend. Kjo është një shkelje e rregullave që kërkojnë një fushatë paqësore, të ndershme dhe të drejtpërdrejtë”, vijon vendimi i PZAP’së.