Mijëra qytetarë të Skenderajt sot i dhanë mbështetje të fortë Bedri Hamzës për kandidaturën e tij për kryeministër të Kosovës.
Bedri Hamza: Drenica, vendlindja e Thaçit dhe Veselit, frymëzon fitoren e madhe për Kryeministër
Gjatë fjalës së tij emocionuese, Hamza përmendi rëndësinë e Drenicës si simbol i sakrificës dhe angazhimit për Republikën e Kosovës, duke përmendur figura të njohura si Hasan Prishtina, Ahmet Delia, dhe Adem Jashari, si dhe ish-liderët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që e kanë quajtur këtë krahinë shtëpi të dytë.
“Jam në Drenicën e mendjes dhe pushkës, të Hasan Prishtinës e Ahmet Delisë, të Tahir Mehës, të Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit. Në vendlindjen e Hashim Thaçit, që ishte shtëpi e dytë edhe për Kadri Veselin. Drenica edhe sot, si gjithë, është ba shembull se ne mundemi ma mirë!”, ka deklaruar Hamza.
Ai shtoi se me besimin dhe angazhimin e tij, është i gatshëm të bëjë jetën e qytetarëve më të mirë dhe të kontribuojë për një Kosovë më të zhvilluar.
“Me besimin që me punën tonë, mund ta bëjmë më të mirë jetën e qytetarëve. Motoja e fushatës tonë është se mundemi më mirë. Ju meritoni më mirë!”, theksoi Hamza.
Në takimet e tij nëpër gjithë vendin, Hamza ka dëgjuar shqetësimet, ëndrrat dhe pritjet e qytetarëve, duke siguruar se programi i tij do të ofrojë zgjidhje konkrete për përmirësimin e jetës në Kosovë.
Ai tu shpreh se Kosova ka potencialin për t’u bërë shteti që qytetarët e dëshirojnë dhe se, me përkushtim, është e mundur të arrihen këto qëllime.