Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla këtë vikend e ka kaluar në kryeqendrën shqiptare.
Në Tiranë, Sveçla është takuar me aktivistët e Vetëvendosjes të cilët tashmë po njihen si “Grupi i Tiranës”. Ky takim vjen një ditë pasi ky grup ofendoi rëndë të parin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Sveçla fotografisë së publikuar në Facebook me Hysamedin Feraj, Elvis Hoxhën, si dhe sekretarin koordinues për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, Gentian Sala ia ka vendosur mbishkrimin “Tirana”.
“Grupi i Vetëvendosjes në Tiranë ka mision politik largimin e Kosovës nga rruga pro-amerikane”. Ishte kjo deklaratë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku që acaroi tej mase Elvis Hoxhën e Vetëvendosjes, i cili e quajti Abdixhikun “skizofren të vogël”.
Madje filozofi kontravers i VV-së, shtoi se Abdixhiku nuk e di se si të jetë kryetar në fazën e tretë të LDK-së.
“Kuptova vetëm se skizofreni i vogël Lumir, nuk di se si të jetë kryetari në fazën e tretë të LDK-së. Sepse mendojeni mirë: pas fytyrës së LDK-së, Rugovës, vjen shfytyrimi i LDK-së, Mustafa. I gjori Lumir nuk po di a t’ketë a mos ketë fytyrë. Në pritje të përfundimit të reflektimit, për me kalu kohën, shpiku grupin e Tiranës”, shkroi Hoxha në Facebook.
Deklaratës së tij i qëndroi pas edhe këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, Hysamedin Feraj. Këtë ai e konfirmoi duke e shpërndarë postimin e Hoxhës. /Insajderi