Skuadra e kategorisë së tetë të futbollit anglez, Sheffield FC e cila njëkohësisht është edhe skuadra më e vjetër e futbollit botëror e themeluar më 1857 – para 158 vitesh, po e kërkon yllin suedez Zlatan Ibrahimoviç.
Ibrahimoviç është në kërkim të një skuadre këtë verë pasi i skadoi kontrata 4 vjeçare me gjigantin francez, Paris Saint Germain. Edhe pse po flitet për një kalim të tij tek Manchester United, ku do bashkohej me ish-trajnerin e tij Jose Mourinho, në skenë ka dalë skuadra e Sheffield FC e cila me anë të një letre publike i kërkon Ibrahimoviçit të transferohet tek ta.
“Nëse jeni duke kërkuar një sfidë të re, jemi të lumtur të diskutojmë një nënshkrim për sezonin e ardhshëm. Ne nuk ofrojë çeqe, por lojë të vërtetë. Ndoshta vendimi më i duhur për ty do të ishte të krijoje një trashëgimi për futbollin, jo vetëm të jesh legjendë për një lojtar. Loja vlen më shumë se paratë dhe fama”, shkruhet në letrën e klubit.
Sheffield përkundër faktit se është skuadra më e vjetër e botës së futbollit, garon në nivelin e tetë të futbollit anglez dhe ka një stadium prej 2 mijë ulësesh. /Insajderi.com