
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se Sokol Haliti do të garojë për edhe një mandat për kryetar të Komunës së Vitisë.
Në një njoftim në Facebook pas një takimi me strukturat e Degës së LDK-së në Viti, Abdixhiku tha se ka pranuar nominimin e Kryesisë së degës për Halitin, duke e quajtur atë “figurë të përkushtimit të qetë” dhe “simbol të udhëheqjes me punë dhe jo me zhurmë”.
“Sokoli nuk ka kërkuar lavdi politike, por e ka merituar respektin e qytetarëve me thjeshtësi, ndershmëri dhe shërbim. Ai ka punuar çdo ditë me ritëm, plan dhe vizion, duke ndërtuar një administratë që shërben”, theksoi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së vlerësoi lartë kontributin e Halitit gjatë tre mandateve të tij në krye të komunës, duke përmendur investime konkrete, zgjerim të shërbimeve, përkrahje për bujqësinë dhe të rinjtë, si dhe ndërtim të qendrave sociale dhe infrastrukturës në fshatra e qytet.
“Prandaj, Sokoli i meriton edhe katër vite të tjera,” deklaroi Abdixhiku, duke theksuar se Haliti dhe LDK-ja gëzojnë mbështetje të madhe në Viti dhe janë të gatshëm të vazhdojnë me projekte të reja për zhvillimin e komunës