
Një nga tenderuesit e mëdhenj të Trepçës e KEK-ut, është zënë duke mashtruar me vërtetimin tatimor. Kjo e ka bërë OSHP-në që firmën e biznesmenit Valon Hetemi ta fus në Listë të Zezën, me çka i pamundësohet për një periudhë që të marrë pjesë në tenderë. Insajderi sjell detajet.
Mira Avdimetaj
Kompania “SB Construction” është futur në listën e zezë. Organi Shqyrtues i Prokurimit mori këtë vendim pasi që firma e biznesmenit Valon Hetemi u zu duke mashtruar në një tender për furnizimi me gëlqer ndërmarrjen publike “Trepça” në vlerë rreth 118 mijë euro.
Sipas vendimit, kompania që përfitoi mijëra euro përmes tenderëve, ka dorëzuar dokumente të falsifikuara nga ATK më qëllim të përmbushjes së kritereve të thirrjeve.
“Gjykata e tenderëve” e ka diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurim për tre muaj kompaninë “SB Constrction” me kërkesë të Autoritetit Kontraktues, “Trepça” të cilët kanë ofruar dëshmi se si kompania në fjalë ka mashtruar me vërtetimin tatimor.
Si tentoi të mashtronte “Trepçën” me dokument të falsifikuar ?
Në tenderin e hapur nga “Trepça Sh.a” për “Furnizimi me gelqer të hidratizuar” kompania “SB Construction” si pjesëmarrëse ne aktivitetin e prokurimit ka mashtruar/falsifikuar vërtetimin e Administratës Tatimore të Kosovës.
Konkretisht, kompania i është kërkuar të sjell vërtetimin tatimor me arsyen e lëshimit: Aplikim për tender.
Këtë dokument, sipas “Trepçës” kompania e ka falsifikuar pasi i njëjti dokument me numrin e njejt serik është përdorur për “Aplikim për kredi”. Vetëm i është ndërruar titulli.
Në vendim thuhet se, AK “Trepça” ka verifikuar edhe në ueb faqen e ATK’së se vërtetimi i dorëzuar nga “SB Construction” është marr për qellim të ‘aplikimit për kredi’ e jo për “Aplikim për tender” siç është cekur në vërtetim.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje tek kompania “SB Construction” lidhur me vendimin e OSHP’së dhe arsyen e dorëzimit të një dokumenti të falsifikuar tatimor por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Një përgjigje kanë dhënë për OSHP’së në të cilën kanë mohuar se kanë dorëzuar një dokument tatimor për kredi por që sipas tyre ka qenë një gabim gjatë fazës së aplikimit.
Vendimin e plotë mund ta gjeni KËTU
Detaje për kompaninë “SB Construction”
Kompania “SB Construction” që nga viti 2021 ka fituar disa tenderë me shuma të mëdha parash.
Është kontraktuese e mijëra eurove përmes tenderëve të lëshuara kryesisht nga “Trepça SH.A” dhe “Korporata Energjetike e Kosovës”.
Sipas të dhënave në ARBK, kjo kompani është në emër të biznesmenit Valon Hetemit.