SONATA E SONADËS - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    SONATA E SONADËS

    Insajderi
    03 May 2022 - 10:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Ben Blushi

    Isha në Xhaminë e Shkodrës. Një vajzë e mbuluar u afrua te hyrja e grave.

    Të të bëj një fotografi, e pyeta

    Nuk është e mundur, tha ajo

    Fotografia ime nuk është për keq, i thashë

    Ky është Ben Blushi, tha një grua tjetër, pranoje nuk ka problem

    Për çfarë i bën këto foto, tha vajza

    Dua të bëj një libër me njerëz të bukur, thashë unë

    Mendon se jam e bukur?

    Shumë, i thashë

    Mirë, por a mund të më nxjerrësh vetëm me kurriz, tha vajza

    Të paktën në profil, i thashë

    Sot jam pak e skuqur, tha vajza

    Si quhesh, e pyeta

    Sonada

    Sonata?

    Ma ngatërrojnë shumë njerëz, Sonada jo Sonata

    Kur je mbuluar?

    14 vjeç

    Je e lumtur?

    Shumë e lumtur

    Po mami është e mbuluar?

    Mami u mbulua 2 muaj përpara meje

    Pra ti u mbulove nga mami?

    Unë u mbulova sepse e ndjeva

    Po motra është mbuluar?

    Motra është praktikante, nuk është mbuluar, por mezi po pret

    Dëgjon muzikë, e pyeta

    Është e ndaluar, tha Sonada

    Po si mund të jetosh pa muzikë, a ka gjë më të bukur, e pyeta

    Është e provuar që muzika dëmton veshët, tha Sonada

    Po në dasma shkon?

    Kam shkuar, tha Sonada

    Nuk ke kërcyer asnjëherë?

    Pothuajse nuk kërcej, tha Sonada

    Duhet të dëgjosh muzikë, i thashë, nuk ka asgjë të keqe

    Këngët kanë shumë fjalë të papërshtatshme, tha Sonada

    Sa vjeç je?

    19

    Çfarë shkolle bën?

    Për infermieri

    Të lejojnë në shkollë të mbuluar?

    Po aty ka dhe vajza të tjera si unë

    Kur do martohesh?

    Kur ta vendosë Zoti

    Po si do njihesh me dikë kur nuk del, nuk dëgjon muzikë, nuk shkon në disko dhe nuk të lejohet të takosh djem?

    Përmes lutjes, tha Sonada

    Pra ti lutesh edhe për të gjetur një djalë, e pyeta

    Unë kam përcaktuar karakteristikat e njeriut me të cilin dua të jetoj dhe lutem që ai të shfaqet

    Po a gjendet burri duke u lutur?

    Edhe familja mund të ndihmojë, tha Sonada

    Pra do fejohesh me mblesëri?

    Mblesëria nuk është e keqe, por familja nuk do bëjë asgjë pa më pyetur mua

    Çfarë është Zoti për ty?

    Zoti është diçka kaq e madhe sa nuk përshkruhet dot me fjalë

    A mund ta hedh foton tënde në instagram?

    Mund ta hedhësh

    Je një vajzë shumë e mirë Sonada

    Duhet të iki, tha Sonada

    Do marrësh abdes, e pyeta

    E mora abdesin, tani do lutem

    Lutje të mbarë, thashë unë

    Faleminderit, tha Sonada


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark