Kandidati republikan Donald Trump ka krijuar një epërsi të konsiderueshme ndaj presidentit aktual Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë pas debatit të parë përpara zgjedhjeve presidenciale javën e kaluar.
Këtë e tregojnë sondazhet e publikuara dje nga New York Times dhe Wall Street Journal.
Biden u zotua të qëndrojë në garën presidenciale të vitit 2024 gjatë negociatave me udhëheqësit e fushatës së tij të mërkurën dhe u përpoq të bindte demokratët e lartë në Capitol Hill se ai është i aftë të rizgjidhet president, pavarësisht paraqitjes së tij të dobët në debatin televiziv.
Një sondazh i Kolegjit New York Times-Siena tregoi se Trump kishte një epërsi prej 6 për qind – 49% ndaj 43%- të Biden.
Kjo është epërsia më e madhe e Trump në sondazhin e Times/Siena që nga viti 2015, kur ai po bënte fushatë përpara fitores së tij presidenciale të vitit 2016 dhe kryesonte me 9 për qind përpara Biden.
Një sondazh i Wall Street Journal tregoi se Trump kishte një epërsi prej 6 për qind ndaj Bidenit, krahasuar me një epërsi prej 2 për qind në një sondazh të Journal të kryer në shkurt. Në të dy sondazhet, të cilat u zhvilluan në të gjithë vendin, të anketuarit vunë në dukje se mosha e Biden, 81 vjeç, rëndoi shumë në kandidaturën e tij.
Rreth 80 për qind e të anketuarve në sondazhin e Journal, i cili anketoi 1,500 votues të regjistruar nga 29 qershori deri më 2 korrik, thanë se Biden është shumë i vjetër për të kandiduar për një mandat të dytë. Ky sondazh kishte një marzh gabimi prej 2.5 për qind.
Mdërsa, sondazhi i Times, i cili anketoi 1,532 votues të regjistruar nga 28 qershori deri më 2 korrik, zbuloi se një pjesë e madhe e çdo grupi demografik, përfshirë votuesit me ngjyrë dhe ata që thanë se do të votonin ende për të, e shohin Bidenin si “thjesht shumë të vjetër për të qenë efektiv si president”.
Ai kishte një diferencë gabimi prej 2.8 për qind për votuesit e regjistruar. Paraqitja e Bidenit në debatin e së enjtes së kaluar kundër Trump, 78 vjeçar, ngriti shqetësime te demokratët për të ardhmen e tij si kandidati i tyre presidencial. U raportua edhe zëvendësimi i mundshëm i Bidenit me një tjetër kandidat presidencial nga Partia Demokratike.