Kombëtarja e Kosovës sot me fillim nga ora 18:00 do t’i mësojë kundërshtarët për Ligën e Kombeve, Ligën C.
Shorti do të hidhet në Paris të Francës, i edicionit 2024/25 i Ligës së Kombeve, ndërsa Dardanët e shohin veten në Ligën C, ku gjenden në vazon e dytë së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë e Ishujt Faro.
Derisa sot krejt vëmendja është e fokusuar në Paris, problemet e brendshme janë mjaft shqetësuese.
Kosova edhe në muajin shkurt e sheh veten pa selektor, një muaj para dy miqësoreve të aranzhuara nga FFK-ja në mars, kundër Armenisë në Yerevan dhe ndaj Hungarisë në Budapest, ndërsa në qershor do të ballafaqohet me Norvegjinë në Oslo, shkruan Gazeta Express.
Janë përmendur disa emra deri tash, por asgjë konkrete.
Kryetari Agim Ademi ka zbuluar vetëm se trajneri mund të jetë gjerman, apo gjermano-folës.
Përpos që përballë shortit të sontëm e gjen veten pa trajner, Kombëtarja po përballet edhe me diçka tjetër absurde, me mungesë stadiumi.
Lloçi që e mbuloi fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë e detyroi Federatën e Futbollit që t’ia vë drynin përkohësisht këtij stadiumi.
Është në plan ndërrimi i komplet barit me shtrimin e një fushe me bar hibrid, i cili është kombinim i barit natyral me atë artificial.
Por, punimet nuk kanë nisur ende dhe kjo e ka detyruar shtëpinë e futbollit kosovar që tri ndeshjet miqësore, dy të marsit dhe një të qershorit, Kombëtares t’ia aranzhojë jashtë vendit, me shpresën që stadiumi të jetë gati për Ligën e Kombeve në shtator.
Natyrisht, problemet e Kombëtares janë veç një reflektim dhe një pasqyrë e atyre të Federatës.
Kjo e fundit, respektivisht kreu i saj, u përball me gjykata dhe me ndalim për një kohë për shkak të problemeve me gjyqin.
Jo vetëm ai, por edhe disa zyrtarë të tjerë të Federatës u ndalën dhe u intervistuan nga Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike.
Më pas, problem tjetër i vitit të kaluar ishte moslicencimi për një kohë i Federatës dhe i klubeve të saj, të cilat i humbën miliona euro të sponsorizimeve shkaku i “shtëpisë” së tyre.
Sidoqoftë, Kosova “e turbulluar” do t’i kuptojë sonte emrat e Kombëtareve kundërshtare të Ligës së Kombeve.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi së fundmi u shpreh se Kosova do të synojë ta fitojë grupin dhe krejt Ligën C.
Në vazon e parë të kësaj lige gjenden Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu, në atë të tretë kanë përfunduar Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qipro, kurse në vazon e katërt janë Bjellorusia, Lituania ose Gjibraltari, Estonia dhe Letonia.