Investitori miliarder George Soros ka thënë se demokracia amerikane është vënë në rrezik me zgjedhjen e Donald Trump si president por kjo do të ndikojë edhe demokracitë e vendeve të tjera të botës.
Në një shkrim të botuar në Project Syndicate, Soros ka thënë se Amerika ka zgjedhur një diktator potencial si president dhe fakti që Trump ka zbutur retorikën e tij të fushatës, ai nuk ka ndryshuar sjelljen e tij por as këshilltarët.
“Kabineti i tij përbëhet nga ekstremistë jokompetentë dhe gjeneralë të pensionuar,” ka shkruar ai.
Por ai thotë se beson se pushtetet e ndara në sistemin politik të ShBA-ve janë mjaftueshëm të forta për t’i rezistuar ekzekutivit.
Kështu do të parandalohej që një diktator potencial në fakt të arrij të bëhet një i tillë, shkruan ai.
Soros tutje parashikon se ShBA-të do të jetë të preokupuara me problemet e brendshme në të ardhmen e afërt, dhe se minoritetet e vëna cak nga ai do të vuajnë.
“ShBA-të nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë e promovojnë demokracinë në botë. Përkundrazi, Trump do të ketë lidhje më të mira me diktatorë. Kjo do të lejojë disa nga ta që të gjëjnë akomodim në ShBA, e të tjerët të vazhdojnë të papënguar”, shkruan ai./Insajderi.com