Sot skadon afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, nga Kuvendi ende nuk është bërë e ditur se në çfarë ore do të vazhdojë seanca konstituive e nisur të enjten për formimin e legjislaturës së 11-të.
Seanca u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për të zhvilluar diskutime me përfaqësues të partive politike, me synimin për të arritur një marrëveshje lidhur me çështjen e presidentit.
Kjo kërkesë u prit me reagime nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Pavarësisht kundërshtimeve të tyre, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputet i Vetëvendosjes, vendosi t’i ndërpresë punimet.
Para ndërprerjes së seancës, u përmbyllën dy pikat e para të rendit të ditës: formimi i Komisionit për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve dhe betimi i deputetëve.
Pasi u konstatua se mandatet e deputetëve të zgjedhur ishin në përputhje me kërkesat ligjore, ata bënë betimin. Betimin e dhanë edhe deputetët e Listës Serbe, subjekt politik që mbështetet nga Beogradi zyrtar.