Policia e Kosovës kishte arrestuar muaj me parë Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën dyshimin për mashtrim.
Insajderi kishte publikuar përgjimin në të cilin dëgjohen Kadri Rexhepi duke përmendur edhe kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti, si personat që qëndronin prapa kësaj punë dhe të cilët i kishin premtuar se pronësia e Spitalit do t`i kalonte Faton Dalladakut.
Rexhepi, në rolin e sekserit vazhdimisht gjatë bisedës insiston të bind Dalladakun se nuk është duke u mashtruar në këtë rast.
Ai i premtonte Faton Dalladakut se me 1 qershor do t’i nënshkruante dy kontrata për ta marr në pronësi spitalit të zemrës brenda QKUK-së i cili ndodhet afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Po për nënshkrimin e tyre, Hashimi i thotë se duhet të paguaj shumën prej 2 milionë eurosh.
Rrahim Hashimi, ishte arrestuar bashkë me grupin e të dyshuarve për fajde e mashtrim në krye me Ismet Osmanin i njohur si Curri, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaçin ndërsa në këtë grup si të dyshuar janë edhe Ekrem Lika dhe Zek Jasiqi të cilët gjenden në arrati.
Hashimi i cili ka qenë ish-pjesëtar i “Forcave Komando Delta” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga brigada 138, para dy muajve ai kishte njoftuar se ishte ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale më 9 prill të këtij viti.
Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2017 nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast të penal.
Gazeta Insajderi, kishte siguruar përgjimet e grupit të dyshuar për fajde, ku janë të përfshire Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi, Ekrem Lika dhe Faton Dalladaku. Në këto përgjime dëshmohet se si për katër muaj, Dalladaku kishte zhvilluar takime të vazhdueshme me këta persona, për të marrë në pronësi këtë spital.