Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, organizata joqeveritare ETEA ka organizuar aktivitete të ndryshme “me qëllim falënderimi ndaj mirësisë që sjellin librat” në kuadër të Festivalit të Librit.
Aktivitetet do të mbahen në sheshin Nëna Tereza në Prishtinë duke filluar nga ora 11, ku qytetarët do të kenë mundësi që të sjellin një libër të vjetër të cilin e kanë lexuar në këmbim të një libri tjetër që ende nuk e kanë lexuar.
Jeton Krasniqi, koordinator i këtij projekti, thotë se kjo është hera e dytë që organizata ETEA ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit, porse këtë vit janë paraparë më shumë aktivitete.
“Qëllimi i këtij festivali është vetëdijesimi i qytetarëve rreth librit dhe arsimit,” ka thënë ai.
Sipas tij, “aktiviteti merr një libër e dhuro një tjetër është një prej aktiviteteve më të mirëpritura në vitet e fundit.”
Përveç shkëmbimit të librave, organizatorët kanë paraparë edhe takime dhe diskutime me shkrimtarë dhe personalitete të tjera të njohura; recitimin e poezive, recitaleve e të tjera.
“Mysafirë special të Festivalit të Librit janë Jusuf Buxhovi, Drenusha Zajmi Hoxha, Albatros Rexhaj, Rreze Abdullahu, Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Besim Dina, Lum Veseli, Andi Bajgora dhe të tjerë”, thuhet në njoftimin e ETEA-s.
Ky organizim mbështetet nga Ambasada Amerikane në Kosovë./Insajderi.com