×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot mbahet seanca për buxhetin e vitit të ardhshëm

    Insajderi
    11 November 2024 - 08:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të diskutojnë për të vetëm pikë të rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025. Seanca plenare fillon në orën 10:00.

    Deputetët do ta shqyrtojnë projektligjin për ndarjet buxhetore për vitit 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove.

    Sipas planifikimeve të ekzekutivit nga buxheti i vitit të ardhshëm 930 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale.

    Projeksionet e Qeverisë flasin për implementim të projekteve të cilat do të ndikojnë në përmirësim të rrjetit të transportit, energjisë elektrike, kushteve në arsim e shëndetësi, një pjesë e madhe e projekteve dhe mjeteve do të jetë e bartur nga ky vit.

    916.5 milionë euro nga buxheti janë paraparë për paga e shtesa si dhe 535.97 milionë për mallra dhe shërbime.

    Vetëm për pagat e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës janë paraparë mbi 3.6 milionë euro, pagat për zyrën e presidentët mbi 1 milionë euro si dhe për kabinetin e kryeministrit Kurti mbi 1 milionë.

    Buxheti për nivelin qendror pritet të jetë mbi 2 miliardë e 757 milionë euro, ndërsa për atë lokal rreth 788 milionë euro.

    Qindra miliona euro janë paraparë edhe për institucionet shëndetësore. Shpenzimet e spitaleve rajonale gjatë 2025-tës kapin vlerën e mbi 54 milionë eurove, këtu përfshihen edhe të hyrat vetanake të tyre si dhe grantet qeveritare.

    Për QKUK-në janë paraparë mbi 10 milionë euro, ndërsa për Shërbimet terciare mjekësore, mbi 3 milionë.

    Miliona euro janë paraparë edhe për arsim. Mbi 366 mijë euro do të shpenzohen vetëm për trajnimin e mësuesve, ndërsa mbi 452 mijë për arsim profesional. 200 mijë euro do të ndahen për përkrahjen e nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm.

    Për Minierat e Trepçës shpenzimet me buxhetin e vitit 2025 kapin vlerën e 3 milionë eurove. Ndërsa 7.5 milionë euro janë ndarë për kategorinë e rezervës rrjedhëse.

    Qeveria parashikon se rritja ekonomike sivjet do të jetë 4.5 % ndërsa, vitin e ardhshëm, është planifikuar të jetë 5.6%

    Partitë opozitare PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm. Por, pozita është e bindur se i ka votat për ta miratuar buxhetin. Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro, apo rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti i vitit 2024.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark