×
  • Lajme
  • Lajme

    Sot në Hagë merret vendimi për ish-shefat e policisë sekrete serbe, Jovica Stanisiq e Frenki Simatoviq

    Insajderi
    30 June 2021 - 09:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rasti më i gjatë gjyqësor për krime lufte pritet të marrë epilog të mërkurën me një vendim në Tribunalin e Hagës për dy ish-shefat e policisë sekrete serbe, Jovica Stanisiq e Frenki Simatoviq. Ata akuzohen për krime në Bosnjë dhe Kroaci.

    Ky rast po cilësohet historik, jo vetëm për shkak të kohës së gjatë të trajtimit nga drejtësia, por edhe për atë që do të thuhet rreth rolit të fshehtë të Beogradit në Luftën e Bosnjës në vitet 92-95 dhe rreth llogaridhënies ligjore të sponsorëve të fshehtë shtetërorë të grupeve paramilitare, transmeton Gazeta Express

    “Ky rast i gjykuar në mënyrë shteruese kundër dy zyrtarëve të lartë serbë është një test vendimtar për ta dëshmuar orkestrimin e spastrimit etnik të Beogradit në Bosnjë e Kroaci gjatë viteve të nëntëdhjeta. Lidhja me udhëheqësinë e Beogradit do të ishte goditëse”, tha David Scheffer, ish  i dërguar i Shteteve të Bashkuara për çështjet e krimeve të luftës dhe nënkryetar i Shoqërisë Amerikane për Ligj Ndërkombëtar.

    Jovica Stanisiq, ish-drejtor i shërbimit shtetëror të sigurisë (DB) dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, i njohur edhe me nofkën “Frenki”, u akuzuan për herë të parë më 2003 nën dyshimin për armatosjen dhe drejtimin e grupeve paramilitare që ishin përgjegjëse për krime lufte në luftërat në Bosnjë e Kroaci. Këta dy persona dikur ishin figurat më të fuqishme në Serbi. Raportohet se Stanisiqi gjithashtu ishte informator i CIA-s dhe agjencia amerikane kishte bërë një hap të pazakontë, duke dorëzuar një dokument të klasifikuar në tribunal për ta përshkruar ndihmën që i ka dhënë ky person.

    Dy serbët ishin liruar nga akuzat në vitin 2013, pasi shumica e gjykatësve të rastit kishin vlerësuar se nuk ka dëshmi për të vazhduar hetime kriminale. Megjithatë, në vitin 2015, Dhoma e Apelit vendosi që gjykatësit e kanë keqinterpretuar pragun ligjor për ta dëshmuar bashkëfajësinë.

    Stanisiqi dhe Simatoviqi ishin anëtarë kyçë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte përpjekur që të krijonte një Serbi më të madhe nga gërmadhat e Jugosllavisë. Përderisa Stanisiqi ishte në përgjithësi përgjegjës për policinë sekrete, DB (Drzavna Bezbednost), Simatoviqi i udhëhiqte njësitë speciale operuese të saj.

    Ndërkohë Stanisiqi duket se luante lojë të dyfishtë. Zyrtarët e CIA-s i kishin thënë gazetës “Los Angeles Times” në vitin 2009 se ai u kishte dhënë hollësi të punëve të brendshme të regjimit, vendndodhjen e pengjeve të NATO-s dhe vendet e varrezave masive.

    Vladimir Dzuro, oficer i policisë çeke që i kishte marrë në pyetje këta dy persona përderisa shërbente si hetues për Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavinë, tha se vendimi i së mërkurës do të jetë moment kritik për dorën e fshehtë të Beogradit pas krimeve në Kroaci e Bosnjë.

    “Këto njësi speciale ishin, për shembull, Tigrat e Arkanit, Skorpionët apo Beretat e Kuqe, që u bënë famëkeqe për brutalitetin e tyre, dhe krimet e tyre ishin të dokumentuara mirë në aktakuzë”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark