Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se pas liberalizimit të vizave, gjendja e punëtorëve privatë në Kosovë është më mirë, duke u shtuar se “sot po ankohen më tepër shefat se punëtorët”.
Ai ka thënë se një punëtor krahu sot në Kosovë i merr 25 apo 35 euro në ditë, e një mjeshtër rreth 50 euro në ditë, duke përfshirë shujtën e ushqimit dhe transportin.
Azemi me ironi tha se tash ka kërkesa “për hapjen e një shoqate për shefat”.
“Hiqi punëtorët që i kemi kontraktuar nga operatorët ekonomikë, e që janë në gjendje të rëndë, kemi një iniciativë për formimin e një shoqate të shefave pasi këta tash po ankohen më shumë se punëtorët. Pjesa tjetër e punëtorëve ka ndryshuar. 1 punëtor privat, punëtor krahu, sot brenda ditës i merr minimumi 25 euro dhe maksimumi 35 euro. Është solide, por ky punëtor merr ushqimin dhe transportin pasi ka mungesë të punëtorëve. Kjo gjendje ka ndryshuar. Për herë të parë e themi se jemi në situatë më të mirë”, ka deklaruar Azemi në emisionin “SOT” të KTV-së
Kreu i Federatës ka shtuar se kjo gjendje e mirë nuk është për shkak të solidaritetit të kompanive, por për shkak të mungesës së punëtorëve.
“Është mungesë e punëtorëve, shumë projekteve po mbesin prapa për shkak të kësaj mungese. Është konkurrencë e madhe për të marrë një punëtorë…E keqja e kësaj pune është që ajka dhe vitaliteti i fuqisë punëtore na ka ikur, e ka mbetur një pjesë e punëtorëve që s’ka qenë më herët”, ka thënë ai.