Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) të martën është sekuestruar një apartament i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ish-ministri ndodhet në paraburgim që prej korrikut.
SPAK-u ka thënë se në kuadër të hetimeve ndaj tij është identifikuar një pasuri e paluajtshme, apartament banimi në Lungomare, në qytetin bregdetar të Vlorës.
Sipas Prokurorisë, në korrik të këtij viti është kryer një kontroll, ku janë siguruar të dhëna me interes për hetimin.
“Kjo pasuri, apo investimet e kryera për mobilimin e saj, nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të”, ka thënë Prokuroria.
Sipas hetimeve, në vitin 2016 apartamenti është blerë nga një shtetas që rezulton të ketë lidhje me ish-ministrin, në vlerë të 67 mijë eurove.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij, proces që ka zgjatur dy vjet.
Vlera e investuar shkon në 50 mijë euro.
Më pas, në vitin 2020 është lidhur kontratë qiraje mes personit që e bleu apartamentin dhe bashkëshortes së ish-ministrit Beqaj.
“Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të pronës së paluajtshme deri në fillim të vitit 2019”, ka bërë të ditur Prokuroria.