Spanja është ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës. Megjithatë, vendi është në fund të listës kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes në aleancën 32 anëtarëshe të NATO-s.
Madridi shpenzoi rreth 21.3 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, apo 1.28% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto, pavarësisht zotimit që NATO ka bërë më 2014 për të shpenzuar të paktën 2%.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte vizitoi Spanjën dhe Portugalinë këtë javë dhe bëri këtë paralajmërim.
“Qëllimi për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, i miratuar para një dekade, nuk do të mjaftojë për të përballuar sfidat e së nesërmes. Kërcënimi nga Rusia mund të duket i largët, por ju siguroj se nuk është”, tha zoti Rutte.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez tha se Spanja është e përkushtuar për të arritur objektivin prej 2% deri në vitin 2029. Ai tha se shpenzimet për mbrojtjen ishin rritur me 70% gjatë dekadës së fundit. Kryeministri Sanchez shtoi se Madridi, në përgjithësi, ishte kontribuesi i 10-të më i madh i NATO-s.
Trupat spanjolle gjithashtu ndihmojnë për të trajnuar forcat ukrainase ndërsa Kievi lufton kundër agresionit rus.
Megjithatë, kjo nuk ka gjasa t’i duket e mjaftueshme kontribuesit më të madh të NATO-s, Shteteve të Bashkuara, që më 2024 shpenzuan 3.38 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Presidenti Trump e cilësoi kontributin e Spanjës në NATO si “shumë të ulët”. Ai gjithashtu kërkoi rritjen e objektivit të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Do t’u kërkoj të gjitha vendeve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një qëllim që duhej të ishte arritur vite më parë”, tha Presidenti Trump.
Ai është ankuar prej kohësh se aleatët evropianë po përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe thotë se ata duhet të marrin një pjesë të barrës së shpenzimeve për mbrojtjen.
Megjithatë, analisti Pere Ortega thotë se objektivi prej 5% është jorealist për Spanjën.
“Kjo do të thotë se Spanja të shpenzojë pothuajse 65 miliardë euro. Ne nuk e kemi atë kapacitet ekonomik. Për të arritur këtë shpenzim në mbrojtje, në një farë mënyre, do të duhej të sakrifikohej sfera e sigurimeve shoqërore. Spanjollët do ta ndëshkonin këtë me votën e tyre gjatë zgjedhjeve”, thotë zoti Ortega nga Qendra ‘Delàs’ për Studime të Paqes, me bazë në Madrid.
Presidenti Trump, megjithatë ka gjetur mbështetjeje nga Lituania e cila njoftoi këtë muaj se do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5 ose 6% të PBB-së, deri në vitin 2026.
“Ne po përshtatemi me planin e mbrojtjes të NATO-s, që është me rëndësi jetësore për rajonin tonë”, tha ministrja lituaneze e mbrojtjes, Dovilė Šakalienė.
Në takimin e tij të parë të NATO-s si President i Shteteve të Bashkuara, në vitin 2017, Donald Trump qortoi aleatët se kanë dështuar të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Aleatët evropianë, veçanërisht Spanja, janë të përgatitur të përballen me kërkesa të mëtejshme në takimin e ardhshëm të udhëheqësve të vendeve anëtare, që do të mbahet në Hagë, në muajin qershor./VOA/