Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, i kanë refuzuar si të parakohshme nëntë kërkesa për statusin e viktimave pjesëmarrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kjo është bërë e ditur nga faqja zyrtare e DhSK-së, në të cilin njoftim thuhet se trupi gjykues ka marrë këtë vendim më 19 shtator, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
E gjithë kjo, me arsyetimin se afati kohor për dorëzimin e këtyre kërkesave ka skaduar më 15 shkurt.
“Trupi gjykues refuzoi të merrte në konsideratë bazueshmërinë e këtyre kërkesave pasi afati kohor për dorëzimin e tyre në këtë çështje skadoi më 15 shkurt dhe nuk ishte treguar asnjë arsye e pranueshme për t’i konsideruar ato si të vlefshme siç parashihet në Rregullën 9 (5) (b)”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, po në këtë njoftim thuhet se trupi gjykues vuri në dukje se Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave mund të ridorëzojë raportin me disa informacione shtesë.