Spektakël në El Clasico: Barcelona përmbys Realin, Mbappe me het-trik nuk e shpëton “mbretërinë” - Insajderi
×
  • Sport
  • Insporti

    Spektakël në El Clasico: Barcelona përmbys Realin, Mbappe me het-trik nuk e shpëton “mbretërinë”

    Insajderi
    11 May 2025 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Barcelona ka shënuar fitore dramatike ndaj Real Madridit me rezultat 4-3 në kuadër të El Clásicos, ndeshje e vlefshme për xhiron e 35-të të kampionatit.

    Real Madridi e nisi për mrekulli sfidën si mysafir, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë. Gjyqtari Hernandez Hernandez akordoi penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar të Wojciech Szczesnyt ndaj Kylian Mbappes, ndërsa më herët gaboi Pau Cubarsi, shkruan Insajderi.

    Mbappe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar për 1-0. Në minutën e 14-të, sërish francezi goditi – kësaj radhe pas një pasimi të shkëlqyer, duke çuar rezultatin në 2-0 për Realin dhe duke krijuar ndjesinë se “mbretërit” do ta kishin të lehtë fitoren.

    Por Barcelona reagoi me shpejtësi. Në minutën e 19-të, Erik Garcia ngushtoi rezultatin në 2-1. Vetëm 13 minuta më vonë, në të 32-tën, talenti Lamine Yamal realizoi një gol të bukur dhe barazoi shifrat në 2-2.

    Skuadra katalanase nuk ndalej. Në minutën e 34-të, Raphinha, pas një asisti të Pedrit, shënoi për 3-2, duke përmbysur gjithçka.

    Barcelona vazhdoi dominimin dhe në minutën e 45+1, Raphinha shënoi sërish, kësaj radhe pas asistimit të Ferran Torresit, për rezultatin 4-2.

    Pjesa e dytë ishte më e qetë, me më pak raste, por Mbappe nuk kishte thënë fjalën e fundit. Në minutën e 70-të, pas një asisti të Vinicius Junior, ai realizoi het-trikun personal dhe ngushtoi në 4-3.

    Pavarësisht përpjekjeve të fundit dhe dy golave të anuluar (nga një për secilën skuadër), rezultati nuk ndryshoi.

    Barcelona mori një fitore të madhe që e afron ndjeshëm me titullin kampion. Tashmë ka 85 pikë në vendin e parë, ndërsa Real Madridi mbetet në vendin e dytë me 75 pikë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark