×
  • Lajme
  • Insajderi

    Spekulimet e zyrtarëve serb se çfarë mund të jenë zgjidhjet inovative të Macron-it

    Insajderi
    03 February 2021 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Ndarja e Kosovës, duke ua lënë serbëve dhe shqiptarëve që vet ta zgjidhin këtë çështje, ose duke lejuar që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara pa e njohur Serbia si shtet, mund të jenë elemente ose rrugë për një zgjidhje inovative të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, komentojnë zyrtarët serb, pas takimit të Aleksandar Vuçiqit dhe Emanuel Macron.

    Ditë më parë presidenti serb ka thënë se “nuk frikohet nga gjetja e zgjidhjeve inovative”, dhe në atë rrugë, siç pretendohet, “SHBA-ja mund të jetë aleati i tij”.

    I pyetur se çfarë mund të ishin zgjidhjet inovative për marrëdhëniet me Kosovën, ministri i jashtëm serb Nikolla Selakoviq ka thënë të martën për RTS se “vendet serioze nuk zbulojnë planet dhe taktikat e tyre në çështje të tilla”, por që bashkëpunimi i mirë në linjën Francë-SHBA është i rëndësishëm për Serbinë”.

    Bashkëpunëtori i Institutit serb për Studime Evropiane, Slobodan Zeçeviq, ka deklarur për gazetën serbe “Novosti” se “zgjidhjet inovative mund të vijnë nga ato që do të ishin të pranueshme për palën serbe, siç është ndarja e Kosovës me autonomi për Kishën Ortodokse Serbe dhe manastiret, përmes faktit që Beogradi nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, pa e njohur atë, me opsionin që është i papranueshëm për ne – të njohim Kosovën, dhe të na garantohet rruga e shpejtë drejt Bashkimit Evropian”.

    Lidhur me mundësinë që Macron të marrë drejtimin e rrjedhës së mëtejshme të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe në një farë mënyre ta shtyjë Berlinit në plan të dytë, bashkëbiseduesi i gazetës mendon se kjo nuk përjashtohet:

    “Macron dëshiron të dalë në plan të parë, sepse francezët besojnë se Serbia është vendi mik i tyre dhe ai do të dëshironte të kishte një avantazh ndaj gjermanëve. Sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, sekretari i ri i shtetit i SHBA Anthony Blinken ka marrëdhënie shumë të mira me Francën, ku është shkolluar, dhe ai mund të jetë shumë i afërt me Macron dhe qeverinë franceze. Nëse Macron do të kishte mbështetjen e Blinken, Gjermania do të binte në plan të dytë në zgjidhjen e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shpreson Zeçeviq.

    Duke komentuar mesazhet e dëgjuara nga Pallati Elysee, Suzana Grubjeshiq nga Qendra për Politikë të Jashtme thotë se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet në koordinim me SHBA dhe BE. Pavarësisht nga interesi i dukshëm i presidentit francez, ajo thotë se  kjo nuk do të shkojë pa Gjermaninë, e çka mund të shihej nga adresimi i Macron-it, i cili e përmendi Gjermaninë dhe Merkel-in disa herë”, është më realiste Grubjeshiq. Si një nga “zgjidhjet inovative”, që serbët dhe shqiptarët të përpiqen ta zgjidhin problemin vetë, Grubjeshiq ka thënë se  “Deri më tani nuk ka ndodhur që përfaqësuesit serbë dhe përfaqësuesit e Kosovës të ulen vetëm për të zgjidhur problemin pa ndërmjetësues”./Insajderi.org.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark