×
  • Lajme
  • Insajderi

    Spitali Aloka që i beson presidentja Osmani udhëhiqet nga kirurgu që dyshohet se ia harroi pacientit fashën në trup

    Insajderi
    03 November 2022 - 11:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të mërkurën, presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar një operacioni. Nga Zyra e Presidentes njoftuan se Osmani ka kaluar një intervenim kirurgjik për heqjen e tëmthit. Këtë intervenim presidentja e vendit e kreu në një klinikë private e jo në QKUK. Klinikë kjo e cila udhëhiqet nga kirurgu që dyshohet se ia harroi një pacienti fashën në trup.

    Presidentja Vjosa Osmani ende po vazhdon të trajtohet në klinikën private “Aloka” ku edhe kreu një intervenim kirurgjik.

    Edhe pse kjo ndërhyrje në QKUK gjithmonë ka rezultuar 99.9 për qind e suksesshme, Osmani ka zgjedhur të shkojë në spitalin privat i cili udhëhiqet nga kirurgu që akuzohet se ia harroi një pacienti fashën në trup, shkruan Insajderi.

    Në gusht të këtij viti, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është dorëzuar një kallëzim penal ndaj kirurgut, Halit Maloku. Një qytetar nga Prishtina akuzoi Malokun se ia kishte harruar një fashë në trup, pas operacionit të parë që e kishte kryer në spitalin “Aloka”.

    Ndërhyrjen në zorrë qorre, Adrian Bajrami e kishte kryer shtatë muaj më parë, por pavarësisht kësaj 38 vjecarit gjendja shëndetësore vetëm sa iu kishe përkeqësuar. Më pas, Bajramit kishte pasur një tjetër ndërhyrje ku kirurgët e QKUK-së ia kishin gjetur një trup të huaj, fashë, nga operacioni i parë.

    Të indinjuar ndaj rastit të presidentes Osmani, kanë reaguar ashpër kirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Në një reagim të nënshkruar nga 18 kirurgë, është shprehur kritika e tyre për anashkalimin e institucionit publik, në këtë rast Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, nga presidentja Osmani.

    “Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës,  ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së”, thuhet në këtë reagim. /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark