Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti, se ka humbur mundësinë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke lënë pas një ofertë të rëndësishme që ishte e pranishme gjatë qeverisjes së tij, shkruan Insajderi.
Haradinaj tha se gjatë qeverisjes së tij veriu i Kosovës ishte më i integruar, dhe se kishte një mundësi të artë për të bashkuar integrimin e veriut me anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Haradinaj dkelaroi se kjo mundësi kishte ardhur si rezultat i një oferte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ishte në tavolinën e Kurtit, por që sipas tij, ky i fundit, nuk e shfrytëzoi.
Ai e akuzoi Kurtin se i kishte shkuar pas vetëm fotos dhe interesave personale, në vend që të punonte për të mirën e Kosovës.
“Radojciqi e ka lëshu Kosovën në qeverisjen time se ka qenë i ndjekur. Veriu vazhdonte të jetë më i integruar. Ne e kishim edhe një mundësi që krahas integrimit të veriut me u antarësu në NATO, këtë ofertë na dhanë amerikanët në tavolinë, Kurti e ka pas në tavolinë këtë ofertë”, tha Haradinaj në Pressing.
Sipas tij, amerikanët e kanë ndaluar Kurtin në këtë proces, pasi ata besonin se qëllimi i tij ishte i lidhur më shumë me pushtetin dhe përfitimet personale sesa me interesat e Kosovës.
“Arsyeja pse është ndalë Kurti se ata e kanë vërtetu se ky nuk po e bën për Kosovë, po për pushtet, për vota, për me dal në foto, për me shkatërru vendin e vet, me i fitu zgjedhjet, e duke qenë kështu amerikanët nuk ia kanë leju këtë lojë. I kanë tregu që smundesh me bo lojëra me vendin tënd”, theksoi Haradinaj.
Sipas tij amerikanët nuk i kanë lejuar Kurtit të bëjë “lojëra” me vendin, duke nënvizuar se ata i kanë treguar që nuk mund të veprojë në këtë mënyrë me të ardhmen e Kosovës.