Zëdhënësi i KE Peter Stano ka thënë se Komisioni Evropian është duke analizuar vendimin e Kosov për të ndaluar qarkullimin e të gjitha valutave përveç euros, madje ai kërkon sqarime për to.
“Komisioni Evropian (KE) është ende duke analizuar vendimin e Kosovës për të ndaluar qarkullimin e të gjitha valutave përveç euros dhe po kërkon sqarime për këtë çështje”, tha sot zëdhënësi i KE Peter Stano.
Më tej, ai ka theksuar se pritet që Serbia dhe Kosova të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve.
“Ne ende jemi duke analizuar dhe kërkojmë sqarime për këtë vendim, arsyet, motivet dhe implikimet e mundshme, por në përgjithësi pritet që Serbia dhe Kosova të shmangin veprimet e pakoordinuara, të cilat nuk janë të përshtatshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin në terren”, është shprehur Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Ai u bëri apel të dy palëve të merren me këtë çështje në kuadër të dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së.