Stavileci: "Kosova e Re" nis të ndërtohet në pranverë 2017 - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Stavileci: “Kosova e Re” nis të ndërtohet në pranverë 2017

    Insajderi
    26 May 2016 - 18:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) është duke punuar në përmbylljen e marrëveshjes komerciale me investitorin amerikan “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Pas kësaj, do të përgatitet pakoja tenderuese për ndërtim, ku pritet të konkurrojnë kompani të fuqishme. Kurse ndërtimi i termoelektranës me kapacitet 500 MgW planifikohet të fillojë në pranverë të vitit 2017.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një bisedë për Ekonomia Online, gjatë një vizite që i bëri sot kompanisë amerikane “Contour Global”, e cila po merr pjesë në panairin “Expkos 2016” që është hapur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    “Pas nënshkrimit të marrëveshjes me investitorin amerikan, në dhjetor të vitit të kaluar, ne tani po punojmë në faza të tjera të projektit. Aktualisht jemi duke e përmbyllur pjesën e marrëveshjeve komerciale dhe pasi t’i përmbyllim ato do të përgatisim pakon tenderuese për ndërtimin e termoelektranës. Dhe këtu do të jetë një garë e hapur ndërmjet liderëve botërorë në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, të stabilimenteve dhe pajisjeve të cilat janë të rëndësishme për ndërtimin e një termolektrane”.

    “Pas kësaj do të pasojë faza e përmbylljes financiare dhe ne do të jemi të gatshëm t’i nisim punimet diku në pranverë të vitit të ardhshëm”.

    Stavileci ka thënë se ky projekt i sjell benefite shumëdimensionale vendit tonë.

    “Përveç dimensionit sektorial dhe në furnizimin e qëndrueshëm dhe cilësor të energjisë elektrike, kemi edhe dimensioni social, meqenëse bëhet fjalë për mijëra vende pune që do të krijohen  pasi do të krijohen mijëra vende pune; si dhe dimensioni mjedisor, pasi do të përdoret një teknologji e avancuar e cila e mbron mjedisin dhe e ul ndotjen, që ka shumë dallim nga projektet e kaluara në fushën e ndërtimit të kapaciteteve të reja të bazuar në thëngjill”.

    “Teknologjia që do të përdoret këtu do të jetë shumë më e avancuar, më e mirë dhe efiçiente sesa teknologjia që është përdorur në të kaluarën. Madje do të thosha se është edhe më e pastër se disa burime të tjera të cilat konsiderohen si miqësore me mjedisin, por me këtë lloj teknologjie që do të përdoret pothuajse janë të pakrahasueshme”.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark