Ditën e sotme, kryeqyteti i Evropës, njëherish i Belgjikës, Brukseli ishte nikoqir i takimit midis liderëve të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, përkatësisht Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Insajderi
Pak para fillimit të takimit një numër i konsiderueshëm figurash politike, analistë e gazetarë kanë reaguar lidhur me këtë takim, që përfundoi pa marrëveshje.
Ndër ata që i dha Kurtit zemër ishte analisti Gazmir Raci, i cili në një postimi në rrjetin social, Facebook shkroi: “Stay Strong Brother”.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi pas takimit Kurti – Vuçiq, Raci tha se edhe pse nuk i di detajet nga bisedimet beson se Kurti ka mbrojtur interest e popullit.
“Nuk kemi informata zyrtare çka realisht është diskutu brenda, por besoj që Kryeministri e ka obligim shtetëror edhe ligjor me i mbrojtë interesat e vendit të vet edhe deri tash kam konsideru se e ka bërë ashtu siç ka ditë më së mirë” – tha Raci për Insajderin.
Si shkoi takimi Kurti – Vuçiq?
Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel ka thënë se takimi nuk ishte fare i lehtë dhe as i rregullt, pasi ka ardhur si rezultat pas tensioneve mes dy vendeve.
Ai ka deklaruar se nuk është shënuar progres për çështje më të mëdha.
Në një konferencë për media të mbajtur në Bruksel, Borrell ka thënë se për momentin nuk ka kompromis nga palët.
“Nuk mund të them se në këtë takim ka pasur progres për çështje më të mëdha. Nuk ka kompromis për momentin”, ka deklaruar ai.
Derisa, sipas tij, Vuçiq dhe Kurti e kanë kuptuar se nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi.
Ndryshe, pritet që takimi tjetër të zhvillohet para datës 1 shtator.
/Gazeta Insajderi