Stenoza e arteries mezenterika superiore (A. mesenterica superior, AMS) është një patologji vaskulare e rrallë dhe potencialisht kërcënuese për jetën, e cila zakonisht shkaktohet nga ngushtimi i arterieve si pasojë e aterosklerozës. Kjo gjendje prek furnizimin me gjak të organeve të traktit tretës dhe mund të rezultojë në ishemi kronike ose akute mezenterike, duke paraqitur rreziqe serioze për shëndetin e pacientëve.
Për herë të parë në Kosovë, një rast i tillë u trajtua me sukses me metodë endovaskulare në United Hospital. Pacienti, një 65-vjeçar me simptoma të rënda, iu nënshtrua këtij trajtimi inovativ nga Prof. Dr. Med. Dr. Phil. Halil Krasniqi, MSC, Dr. Sc, një nga kirurgët vaskularë më të njohur në Evropë dhe botë. Procedura u realizua me sukses të plotë, duke rikthyer rrjedhjen e gjakut në arterien e prekur dhe duke shmangur ndërhyrjet më invazive kirurgjikale.
Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm për avancimin e mjekësisë vaskulare në Kosovë dhe tregon përkushtimin e United Hospital për të sjellë teknika të reja dhe trajtime të standardeve më të larta për pacientët. Me përkushtim të vazhdueshëm, synojmë të përmirësojmë qasjen ndaj kujdesit vaskular dhe të sigurojmë që pacientët tanë të përfitojnë nga mjekësia moderne dhe inovacionet më të fundit në këtë fushë.