Ditën e sotme, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Aganin dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Gani Shabanin, të dy të akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “Stenta 1”, shkruan Insajderi.
Lidhur me rastin, për Insajderin ka folur ish- sekretari i MSh, Gani Shabani, i cili tha se dëmi moral që i është bërë nuk mund të “paguhet” me para.
“Vendimi është i drejtë dhe me vjen mirë që doli dikush i guximshëm për të vendosur drejtësi. Sa i përket aspekteve të tjera, avokati e ka autorizimin për të vepruar por nuk ka para qe e paguan dëmin moral që më është bërë mua e familjes sime për këto 6 vite për një akuzë për diçka që nuk e kam bërë”, ka thënë për Insajderin Gani Shabani, ish-sekretar i MSh.
Derisa, përveç me Gani Shabanin, Insajderi ka kontaktuar edhe me avokatin e këtij të fundit, Skender Musa, i cili tha se të gjitha këto i ka manipuluar Prokuroria.
“Krejt fondi ka qenë 3.5 milion për subvencione për shërim jashtë vendit dhe Prokuroria ka manipuluar se dëmi ka qenë 4.5 milion në fillim. I mbrojturi im, Gani Shabani është akuzuar padrejtesisht, siç u dëshmua sot me vendimin lirues“, tha per Insajderin Skender Musa, avokat i Gani Shabanit.
Tutje, ai nënvizoi se do ta padisin Këshillin Prokurorial dhe Ministrinë e Shëndetësisë për këtë rast.
“Do ta padisim Këshillin Prokurorial për këtë rast. Do të konsultohemi me ekspert financiar edhe për shumën që do të kërkojmë edhe për dëm në imazhin dhe dhembjet shpirtërore të shkaktuara për këto vite me këte rast. Po ashtu do ta padisim edhe Ministrinë e Shëndetësisë për të paguar pagat e mbetura ndaj z. Shabanit pasi të njëjtit deri tash i është dhënë veç 50% e pagës”, ka thënë Musa
Çfarë duhet të dini për rastin “Stenta 1”?
Më 15 qershor të vitit 2016, Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.
Spas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.
Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.
Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani u gjykuan veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.
Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marrë njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, ku në fjalën përfundimtare më 29 korrik 2022, prokurorja Florie Shamolli ndryshoi dispozitivin e aktakuzës dhe këtë e bëri konform nenit 350 të Kodit të Procedurës Penale – derisa dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë.
Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.