Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, iu ka zgjatur mandati i tij në krye të kësaj detyre edhe për një vit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Stoltenberg, i cili tha se ndihet i nderuar me vendimin e ambasadorëve të 31 vendeve anëtare të NATO-s.
“Lidhja transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet, dhe në një botë më të rrezikshme, Aleanca jonë është më e rëndësishme se kurrë”, shkroi Stoltenberg.
Vendimin për zgjatjen e mandatit të Stoltenbergut deri më 1 tetor 2024 e ka përshëndetur Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Ne e mirëpresimin vendimin e Aleancës për t’ia zgjatur Jens Stoltenbergut mandatin si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Ne kemi punë të rëndësishme përpara nesh për ta forcuar NATO-n gjatë këtij momenti kritik të historisë”, tha Blinken.