Studentja shqiptare e qytetit të Shkupit , Sumeja Ademi 19 vjeçare, është sulmuar fizikisht në baza fetare, të enjten e kaluar në qendër të qytetit të Shkupit, nga tre maqedonas. Tre personat e kishin ngacmuar edhe verbalisht duke i thënë se ky është vend i krishterëve , ndërsa ata me mbulesë të zhduken nga kanë ardhur në Arabinë Saudite.
Sumeja shpjegoi se së bashku me shoqen e saj të universitetit, u sulmuan nga një grup prej tre personash , prej të cilit ishin dy meshkuj dhe një femër.
Siç bëhet e ditur nga Sumeja për Anadolu Agency, kur kaloi grupi para tyre, duke mos ditur se shoqja e saj është maqedonase, ata filluan të provokojnë dhe të fyejnë me fjalë si shqiptarë të ndyrë dhe terroristë të mallkuar.
Meqenëse Sumeja dhe shoqja e saj nuk kanë reaguar grupi përsëri ka filluar ti sulmojë ndërkaq pasi që Sumeja vendos ti pyes se çfarë është problemi, ata përgjigjen se ju pengon veshja e saj.
Ata po ashtu kanë tentuar të ja heqin mbulesën Sumejës dhe pas disa lëndimeve të lehta janë larguar.
“Filluan mua të më quajnë se jam terroriste, shqiptare e ndyrë dhe se ky është një vend i krishterëve dhe një ditë të gjithë neve do të na dëbojnë. Djaloshi më kapi dorën dhe filloi të më tërheq zvarrë duke më porositur të largohem nga ky vend. Me shoqen time arritëm të tërhiqemi, por ata qëndronin pas nesh dhe na thonin ‘terroristë islamik, zhdukuni nga keni ardhur në Arabinë Saudite, ky vend është i krishterëve’. Rreth nesh kishte shumë njerëz, askush nuk ndërhyri. Të gjithë qëndronin të heshtur dhe shikonin nga anash.”, deklaroi Sumeja.
Sipas Sumejës, kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të krizës aktuale politike në Maqedoni dhe ju bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë sidomos të rinjve që të mos bien pre e provokimeve politike.
“Sot mua më ndodhi, nesër mund t’i ndodh dikujt tjetër. Jo vetëm një shqiptari, por mund edhe një shqiptar apo një turk të sulmojë një maqedonas. Mos të lejojmë një gjë të tillë të ndodh, por të kontribuojmë për paqe dhe harmoni mes nesh”, apelon Sumeja tek qytetarët e Maqedonisë.
Ndërkaq nga Ministri i punëve të brendshme, Agim Nuhiu në një prononcim për Tetova1 ka thënë se rasti në fjalë duhet menjëherë të paraqitet në polici.
“Ashtu siç reagoi policia për sulmin ndaj qytetarëve të Kosovës, ashtu do të reagohet për çdo dhunë, kanosje apo veprim të kundërligjshëm. Në SPB të Shkupit nuk kemi ndonjë paraqitje të rastit në fjalë. Inkurajojmë qytetarët që rastet me elemente dhune dhe kanosje t’i drejtohen policisë. Edhe Ju urdhëroni paraqiteni rastin konkret nëse keni informacion të nevojshëm. Rastet e tilla kërkojnë bashkëpunim me të gjithë!”, deklaroi Nuhiu./Insajderi.com