Marrëveshja e Parisit mbi Klimën e negociuar në Francë dhjetorin e kaluar dhe e nënshkruar kohët e fundit në selinë e Kombeve të Bashkuara përmend dy kufij të rritjes së temperaturës: 1.5 dhe 2.0 gradë Celsius më lart se në kohët para-industriale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble njofton mbi një studim të ri sipas të cilit një rritje shtesë me 0.5 gradë do të shkaktonte një rritje globale të nivelit të detit prej 10 centimetrash deri në vitin 2100, periudha më të gjata nxehtësie dhe një kërcënim më të madh për pothuajse të gjithë shkëmbinjtë koralorë.
Dallimi mes rritjes së ngrohjes me 1.5 dhe 2.0 gradë celsius është i rëndësishëm, veçanërisht për shtetet ishuj dhe vendet në zhvillim që janë më të pambrojtura ndaj ndryshimeve klimatike.
“Po, studimi ynë konfirmon se 1.5 gradë do të jetë një kufi shumë më i sigurt i ndryshimit të klimës”.
Studiuesit europianë, në një shkrim në revistën Earth System Dynamics, analizojnë dallimin në mes të dy kufijve të ngrohjes në 25 rajone të botës. Ata kanë përdorur 11 tregues, duke filluar nga rendimentet bujqësore, ujin e pijshëm, motin ekstrem, e deri tek humbja e koraleve dhe rritja e nivelit të detit. Nëse temperatura globale rritet me kufirin më të lartë, 2.0 gradë Celsius, ata parashikojnë valë të gjata nxehtësie në rajonet tropikale që mund të zgjasin 50 për qind më shumë se sesa tani. Prodhimi bujqësor do të goditej më rëndë.
“Parashikojmë një rënie dyfish më të madhe të rendimenteve të grurit dhe misrit në rajonet tropikale nëse do të ketë rritje të ngrohjes mes 1.5 dhe 2 gradë Celsius”.
Një tjetër pikë e nxehtë është rajoni mesdhetar, duke përfshirë Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, një rajon që tashmë vuan nga mungesa e ujit dhe trazirat politike.
“Parashikimet tona tregojnë se do të kishte një pakësim vjetor ndoshta me rreth 10 përqind të ujit në Mesdhe, nëse temperatura do të rritej 1.5 gradë Celsius. Kjo do të dyfishohej për rreth 20 për qind nëse ngrohja globale do të rritej 2 gradë Celsius”.
Sipas objektivit më të ulët të rritjes së temperaturës, shkëmbinjtë koralorë, të cilat strehojnë specie detare dhe mbrojnë brigjet, mund të përshtaten dhe të mbijetojnë. Gjithashtu në nivelin 1.5 gradë Celsius, shkalla e rritjes së nivelit të detit do të mund të ngadalësohej në mënyrë të konsiderueshme.
Shkencëtarët thonë se studimi i tyre konfirmon vlerësimin e vendeve më të varfra dhe atyre në zhvillim në lidhje me Marrëveshjen e Parisit dhe është një provë tjetër për të synuar rritjen më të ulët të temperaturës. Ata shpresojnë se studimi do t’i ndihmojë politikanët dhe publikun të marrin vendime më të informuara mbi çështjen e ndryshimeve klimatike./VOA