
Rrugë, parkingje dhe bodrume të përmbytura, shumë pemë të rrëzuara dhe njerëz të bllokuar në makinat e tyre, është ajo çka ka ndodhur pasditen e 30 gushtit në Shkup.
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara me erëra të forta, bubullimë dhe breshër shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Stuhia që përfshiu kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, bëri që kryetarja e qytetit, Danella Arsovska, ta mbledhë urgjentisht Shtabin e Krizës. Ekipet ndodhen në terren, por për momentin nuk ka informacione për dëmet e shkaktuara.
Reshjet e shiut kanë bllokuar më shumë rrugë të Shkupit, ndërkohë që erërat e forta kanë rrëzuar pemë, të cilat kanë dëmtuar automjetet dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa rrymë shumë ndërtesa.
Veç Shkupit me rrethinë, vërshimet kanë përfshirë edhe disa qytete të Maqedonisë Lindore si: Shtipi, Demirhisari, Velesi dhe Sveti Nikole.