Policia ka arrestuar dje kryetarin e Komisionit për Ndarjen e Grandeve, dhe monitoruesen e implementimit të subvencioneve në komunën e Obiliqit.
Kryetari i Komisionit dyshohet se ka ndarë subvencion në vlerë prej 9,900.00€ për një klub basketbolli i cili dyshohet se ka qene jo aktiv. I dyshuari ka qenë themelues i atij klubi.
Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë për drejtorin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Armend Mirena.
Mirena dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën zyrtar në Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Obiliqit si dhe Kryetar i Komisionit për ndarje të Subvencioneve për këtë Drejtori, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
I njëjti duke shfrytëzuar detyrën e tij edhe pse ishte themelues i klubit basketbollistik “AS Kastrioti” , ka dorëzuar dokumentet për të aplikuar për subvencion.
Ai dokumentet i kishte dorëzuar me një emër tjetër dhe në cilësinë Kryetarit të Komisionit për ndarje të subvencioneve ka shpallur fitues të subvencionit klubin AS Kastrioti.
“Duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, si dhe duke e ditur se ka konflikt interesi për shkak se ka qenë themelues i klubit basketbollistik “AS Kastrioti” nga viti 2012 deri në vitin 2019, si dhe vazhdon ta kontrollojë llogarinë bankare të këtij klubi, me datën 27.03.2023 ka dorëzuar në Komunën e Obiliqit, aplikacionin dhe dokumentet e kompletuara për aplikim për subvencionim sipas thirrjes publike të Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport Komuna Obiliq datë 20.03.2023, për klubin e basketbollit AS Kastrioti, ku i njëjti edhe ka përpiluar dhe nënshkruar dokumentacionin e klubit në emrin e personit Admir Hashani, pastaj në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për ndarje të subvencioneve ka shpallur fitues të subvencionit klubin AS Kastrioti, duke përrfituat materialisht shumën monetare në vlerë prej 9,900 euro,e të cilat vetëm pas fillimit të hetimit të rastit i ka kthyer në dy pjesë në llogarinë e Komunës së Obiliqit”, thuhet në dosje.
Këtë rast e ka hetuar dhe po e shtynë përpara në Gjyq Prokurori i Krimeve të Renda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Eset Rama.
Armend Mirena ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Konflikti i interesit” nga neni 417, par. 1 i KPRK-së.
Prandaj edhe për të njëjtin është kërkuar masa e paraburgimit.
“Më datën 20.12.2014, nga Policia e Kosovës, DHKEK, ka pranuar kallëzimin penal 2022-KE-53, kundër të pandehurve Armend Mirena për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par. 1 dhe “Konflikt interesi” nga neni 417 par. 2 të KPRK-së, dhe e pandehura Ardianë Gervalla Arifi ka kryer veprat penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Konflikt interesi”, nga neni 417 par. 2 të KPRK-së.
Kujtojmë se hetimi i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestim e tre të dyshuarve për keqpërdorimin e mijëra eurove nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Aksioni është zhvilluar në dy lokacione të ndryshme. Njëri në Prishtinë, në Federatën e Karatesë së Kosovës, ndërsa tjetri në Obiliq.