Iniciativa “CorrWatch” – e përbërë nga organizatat GLPS, Instituti GAP dhe INDEP ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetime mbi praktikat e Ministrisë së Arsimit për çështjen e subvencionimit për furnizim me tekste shkollore.
Duke e cilësuar të kundërligjshëm procesin, “CorrWatch” u ka bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë mbi procesin e që Prokuroria të nisë hetimet.
Sipas kësaj iniciative, është shkelur Ligji për Arsimin parauniversitar.
“Ky veprim nuk është vetëm shkelje e detyrimeve ligjore nga MASHTI, por është gjithashtu shkakton një barrë të panevojshme për prindërit, që për më tepër mund të ndikojë në fillimin me kohë të procesit mësimor duke ndikuar negativisht tek nxënësit. MASHTI, për të dytin vit radhazi, ka bërë shkelje ligjore pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik, ajo dështoi plotësisht të planifikojë dhe të përmbushë detyrimet e saj, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga ana e ministrisë”, thuhet në reagim.
Tutje “CorrWatch” ka thënë se Ministria ka lënë hapësirë për keqpërdorime. “Duke subvencionuar këtë shërbim që në fakt duhej të ishte përgjegjësi ekskluzive e ministrisë, MASHTI ka lënë hapësirë të gjerë për keqpërdorime por gjithashtu tregon një mungesë të kontrollit të mirëfilltë, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike”, thuhet në reagim.
Mungesën e informacionit mbi çmimet e librave dhe koston totale të procesit, “CorrWatch” e ka cilësuar si mungesë të planifikimit të duhur dhe të menaxhimit të përgjegjësive shtetërore.