Minutat e parë të së dielës, kanë mundur të jetë fatale për një pjesëtar të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, pasi një njësit policor që po kryente një kontroll në një lokacion në rrugën Kral Petri, është sulmuar me granatë dore.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orën 00:23 të së dielës, teksa ende nuk dihet motivi i këtij sulmi.
“Në Rr. Kral Petri në veri të Mitrovicës është dëgjuar një shpërthim, ku dyshohet se nga N.N. person-a është hedhur një mjet shpërthyes (dyshohet granatë dore) në afërsi të njësitit policor i cili po zhvillonte një pike kontrolli në lokacionin e lartcekur”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
E nga ky shpërthim përpos policit të lënduar ka lënë edhe shumë dëme të tjera materiale.
“Si pasojë, lëndime ka pësuar një zyrtar i PK-së si dhe janë shkaktuar dëme materiale në veturën zyrtare dhe në disa vetura të cilat gjendeshin në afërsi”, thuhet në raportin e Policisë.
Lidhur me rastin, sipas raportit të Policisë, thuhet se janë angazhuar të gjitha njësitet relevante policore, të cilat janë duke kryer “hetime intenzive për zbulimin dhe arrestimin e personit ose personave të dyshuar”.