Sulmet ajrore amerikane dhe zjarri i artilerisë turke kanë vrarë 104 militantë islamistë në veri të Sirisë, sipas një raporti të agjencisë shtetërore turke të lajmeve.
Agjencia e lajmeve Anadolu njoftoi sot se sulmet ndodhën mbrëmjen e së premten si kundërpërgjigje, disa orë pasi raketat e lëshuara nga territori i kontrolluar nga Shteti Islamik goditën provincën kufitare turke Kilis, duke plagosur pesë njerëz. Sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara shkatërruan shtatë ndërtesa që përdoreshin si zyrat qendrore të Shtetit Islamik, njoftoi agjencia turke e lajmeve.
Deri tani këtë vit, 21 njerëz janë vrarë në Kilis dhe shumë të tjerë janë plagosur si rezultat i sulmeve ndërkufitare me raketa nga Siria. Zakonisht, Turqia reagon me artileri ndaj sulmeve të Shtetit Islamik.
Më herët këtë muaj në një operacion të ngjashëm, goditjet turke me artileri vranë 55 luftëtarë të Shtetit Islamik si reagim ndaj sulmeve një javore me raketa.
Gjetkë në Siri të premten, militatët e Shtetit Islamik ndërmorën një sulm në provincën Alepo, duke ndërprerë një rrugë të rëndësishme furnizimesh në një betejë me ushtarë kryengritës, që zgjati deri në agimin e sotëm.
Përparimi më i madhi ky nga Shteti Islamik në Alepo në dy vjet, është pjesë e një ofensive më të gjerë kundër bazave rebele pranë kufirit me Turqinë që filloi mbrëmjen e së enjtes.
Deri mbrëmjen e së premtes, ekstremistët islamikë kanë marrë nën kontroll gjashtë fshatra, duke detyruar evakuimin e një spitali dhe duke bllokuar rreth 160 mijë njerëz në shtëpitë e tyre si rezultat i luftimeve të ashpra./VOA