×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 11 palestinezë në Gazë

    Insajderi
    24 June 2024 - 20:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga dy sulme izraelite, që shënjestruar furnizimet e ndihmës, janë vrarë të paktën 11 palestinezë në Gazë, thanë mjekët, teksa tanket izraelite po vazhdojnë të avancojnë në Rafah, qytetin më jugor të Rripit të Gazës.

    Një sulm ajror goditi një qendër për shpërndarjen e ushqimeve në Qytetin e Gazës, afër kampit të refugjatëve Shati, duke vrarë tre persona. Sulmi i dytë, afër qytetit Bani Suhaila në jug të Rripit të Gazës, vrau të paktën tetë persona, përfshirë edhe rojet që po shoqëronin kamionët me ndihma, thanë mjekët.

    Ende nuk ka ndonjë koment nga Izraeli, i cili mohon se sulmon vendet ku ndodhen ndihmat humanitare dhe akuzon Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se po dëmtojnë civilët duke operuar në mesin e tyre.

    Ndërkaq, gjatë natës sulmet izraelite ndaj një qendre shëndetësore vranë drejtorin e Departamentit të Emergjencave të Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës. Ushtria izraelite tha se në sulm u vra një komandant i lartë dhe i armatosur i Hamasit.

    Më shumë se tetë muaj që kur nisi lufta për shkak të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi. Hamasi kërkon që çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës, ndërkaq Izraeli thotë se dëshiron vetëm pauza të përkohshme të luftimeve derisa të shkatërrojë Hamasin.

    Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 persona. /REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark