
Një zyrtar izraelit i tha CNN-it se “Irani do të paguajë një çmim të rëndë për qëllimin e tij ndaj zonave të banuara”.
Deklarata vjen pasi Irani lëshoi “qindra raketa balistike të llojeve të ndryshme” drejt Izraelit, në atë që Teherani e cilësoi si fillimin e “përgjigjes shkatërruese” ndaj sulmeve izraelite në territorin iranian të premten në mëngjes, sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA.
Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetin social X (ish-Twitter), Forca Ajrore e Izraelit ka konfirmuar se një numër sirenash paralajmëruese janë aktivizuar pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani.
“Pak më parë, janë aktivizuar alarmet në disa zona të vendit pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani drejt territorit të Shtetit të Izraelit. Në këto momente, Forca Ajrore po punon për t’i ndaluar dhe goditur kërcënimet kudo që është e nevojshme, për të eliminuar rrezikun”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet izraelite i kanë bërë thirrje qytetarëve që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes Civile, duke shtuar se mbrojtja ajrore nuk është plotësisht hermetike dhe se ekziston ende rreziku nga sulme të tjera të mundshme.