Ditë më parë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë. I akuzuari kryesor është kryeterroristi Milan Radoiçiq. E siç mëson Insajderi, një kompleks turistik në këtë fshat shërbeu për sigurimin e provave lidhur me sulmin e armatosur që ndodhi në shtator të vitit të kaluar.
Insajderi ka siguruar aktakuzën voluminoze ndaj 45 personave lidhur me sulmin e armatosur në veri të Kosovës.
Nga ajo çka është parë, në aktakuzë përfshihen dëshmitë e punëtorëve të këtij hoteli, mysafirëve dhe të afërmeve të personave të akuzuara.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Aktakuza është ngritur ndaj 45 personave, ndaj; Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Në dosje janë përshkruar edhe dëshmitë e punëtorëve të “Rajska Banjës”
R.N. po punonte në hotel më 24 shtator kur po ashtu ka dëshmuar se kishte nisur të dëgjonte krisma armësh “rreth orës 02:45 deri rreth orës 10:00-10:30”.
Në dëshminë e tij në Prokurori, ai ka deklaruar se ka dalë nga hoteli rreth 50 herë për të shikuar edhe pse mysafirët e hotelit ia kishin tërhequr vërejtjen që të hynte brenda.
“Porse, ka qenë i sigurt se nuk do të shtien me armë në drejtim të hotelit”, ka dëshmuar ai, sipas aktakuzës.
Punëtori i hotelit në Banjskë ka deklaruar po ashtu se derisa kishte qenë në recepsion rreth orës 16:30, aty kanë hyrë katër persona të armatosur, tre nga të cilët po bartnin një person “të plagosur dhe me lëndime të mëdha”.
Në Prokurori, ky dëshmitar ishte pyetur edhe në lidhje me një veturë me armatim që ishte gjetur më vonë në bodrum të hotelit.
Nga 45 të akuzuarit, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Theksojmë se nga ky sulm i armatosur nga Serbia i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët tjerë policorë, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.