×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmi i kanalit të Ibër-Lepencit, policia paralajmëron arrestime të tjera

    Insajderi
    03 December 2024 - 17:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se mund të ketë edhe arrestime të reja lidhur me sulmin e fundit terrorist në kanalin e ujit ‘Ibër Lepenc’.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim për J.V, i cili është i dyshuari i dytë për sulmin në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, në Varragë të Zubin Potokut.

    Ndërkohë, situata në veri të vendit, pas këtij sulmi mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore të vendit, e në veçanti sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ka bërë që policia ta shtojë masat e sigurisë.

    “Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, tha Hoxha për RTK-në.

    Ai tha se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka.

    “Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, shtoi ai.

    Policia e Kosovës, sipas Hoxhës, ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit të ‘Ibër-Lepencit’.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark