
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) ka konfirmuar se një sulm ajror izraelit ka shkaktuar dëme në disa ndërtesa kyçe të një objekti bërthamor në ndërtim pranë qytetit Arak në Iran, raporton BBC, përcjell Insajderi.
Sipas IAEA-së, avionët luftarakë izraelitë goditën reaktorin me ujë të rëndë të Arakut të enjten, por objekti nuk përmbante material bërthamor në momentin e sulmit.
Ky lloj reaktori përdor një lloj të veçantë uji si ftohës dhe mund të shërbejë për qëllime shkencore, por gjithashtu prodhon si nënprodukt plutonium – një material që mund të përdoret për ndërtimin e armëve bërthamore.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, në një deklaratë theksoi se nuk ka pasur ndonjë “incident madhor radiologjik”, por paralajmëroi për rrezikun e një “aksidenti radiologjik” për shkak të sulmeve.
“Në këto rrethana sfiduese dhe komplekse,” thuhet në deklaratë, “është jetike që IAEA të marrë në mënyrë të rregullt dhe në kohë informacione teknike për objektet bërthamore.”