Sulmi me armë në Austri, më i rëndi në historinë e pasluftës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Sulmi me armë në Austri, më i rëndi në historinë e pasluftës

    Insajderi
    11 June 2025 - 09:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Austria është një nga vendet me numrin më të lartë të armëve në duart e civilëve në Evropë, me rreth 30 armë zjarri për çdo 100 banorë, sipas të dhënave të “Small Arms Survey”, një projekt i pavarur kërkimor që analizon shpërndarjen globale të armëve të vogla.

    Kjo shifër e vendos shtetin austriak ndër shtetet evropiane ku posedimi i armëve nga qytetarët është më i përhapur, pjesërisht për shkak të kulturës së gjuetisë dhe legjislacionit relativisht liberal për mbajtjen e armëve.

    Megjithatë, pavarësisht këtij numri të lartë armësh në qarkullim, ngjarjet e dhunshme me armë, sikurse ai sot me 11 të vdekur, janë raportuar rrallë. Sulmet në shkolla janë një fenomen i pazakontë në Austri, çka e bën incidentin e fundit edhe më tronditës, shkruan Sky News.

    Julia Ebner, eksperte e njohur për çështjet e ekstremizmit pranë institutit “Institute for Strategic Dialogue”, një qendër ndërkombëtare që merret me studimin e radikalizmit dhe dhunës ideologjike, theksoi se të shtënat që ndodhën në qytetin Graz mund të konsiderohen si sulmi më i rëndë me armë në një shkollë në historinë e pasluftës së Austrisë.

    Ky incident përbën një precedent të rrezikshëm dhe ka ngjallur debat rreth sigurisë në institucione arsimore dhe kontrollit të armëve në vend.

    Edhe pse Austria ka përjetuar ngjarje të tjera të dhunshme, asnjëra nuk është regjistruar më parë si një masakër në shkollë me përmasa të tilla.

    Në nëntor të vitit 1997, një mekanik 36-vjeçar vrau gjashtë persona në qytetin Mauterndorf përpara se të vetëvritej – një nga incidentet më të përgjakshme në vend deri në atë kohë.

    Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik ndodhi në vitin 2020, kur një xhihadist i dënuar kreu një sulm të armatosur në qendër të Vjenës, duke lënë katër të vdekur dhe 22 të plagosur.

    Ky ishte një nga aktet më serioze të terrorizmit në territorin austriak në dekadat e fundit.

    Ngjarja në Graz pritet të nxisë diskutime të mëtejshme mbi sigurinë publike, mbikëqyrjen e posedimit të armëve dhe qasjen ndaj shëndetit mendor dhe radikalizimit në rritje, veçanërisht në mesin e të rinjve

    Vajza nga Kosova, Lea Bajrami është në mesin e dhjetë viktimave të sulmit me armë që ndodhi të martën në një shkollë të mesme në Grac të Austrisë.

    Në një prononcim, gjyshi i të ndjerës, Muhabi Bajrami ka dhënë detaje si e morën vesh dhe si e pritën lajmin për vdekjen e saj.

    “Jemi të shqetësuar, ne na ka ardhur një lajm trishtues. Kjo është 15 vjeçare, në shkollë private ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme. Unë e kam mbesë. Ka ndodhur në mëngjes. Ne kemi dëgjuar që ka ndodhur, edhe të gjithë na kanë thirrur dhe na kanë pyetur ku është Lea? se emrin e ka Lea edhe e kuptuam që është ajo, shpresuam shumë që nuk është e vërtetë por në ora 2 djali, djali im, pra babai i vajzës më tha ‘baba Lea na la’ ”, ka rrëfyer ai për Tëvë1.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark