Edhe Federata Europiane e Gazetarëve ka reaguar ndaj sulmit të kameramanit të Gazetës Insajderi, Jetmir Muji i cili është sulmuar sot në Mitrovicën e Veriut nga serbët në atë pjesë, derisa ishte duke xhiruar.
Muji është sulmuar nga bandat serbe derisa ishte duke xhiruar rastin e rahjes të një të riu shqiptar në pjesën veriore të Kosovës, njofton Insajderi.
Federata Europiane e Gazetarëve kanë dënuar ashpër sulmin ndaj kameramanit të Insajderit, Jetmir Muji, duke shtuar se autoritetet duhet të ndërmarrin veprime dhe të arrestojnë sulmuesit.
“E dënojmë fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Jetmir Muji në Veri të Mitrovicës. Autoritetet duhet të ndërmarrin veprime dhe të arrestojnë sulmuesit”, thuhet në reagim.
Kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Visar Duriqi ka treguar se si e gjithë ngjarja është parë nga Karabinierët dhe nuk kanë reaguar e as intervenuar.
“Kanë hy e janë mshef si pula të lagura në veturë. Madje Karabinierët nuk janë afruar as qe te pyesin si është gjendja e Jetmirit”, ka shkruar ai.