Tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Të tre gjenden në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënsja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjakatës Themelores të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Që të tre janë të ngarkuar për veprat penale: “Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Kryerjen e veprave terroriste”.
Mbështetur në kërkesën fillestare të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ata dyshohen se bashkë me një grup personash, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur e me dhjetëra vetura të mbushura me armatim, municion dhe veshje ushtarake, kanë hyrë ilegalisht në Kosovë.
Sipas kërkesës, ata e bllokuan 24 shtator rrugën në Banjskë me dy kamionë, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë, e pastaj i sulmuan ata me granata dhe me armë, me ç’rast në urën afër Manastirit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.