Kanali i ujit të Ibër-Lepencit është dëmtuar pas një shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë në Zubin Potok. Nga Qeveria e Kosovës e kanë cilësuar këtë si akt terrorist, e ndërkombëtarët e kanë dënuar fuqishëm këtë sulm.
Ndërsa tashmë lidhur me rastin policia është duke kryer bastisje në fshatrat Varage dhe Ugljare, në territorin e komunës së Zubin Potokut.
Por, sa mund të dënohen autorët e këtij akti?
Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Insajderin se sipas ligjit në Kosovë autorët mund të dënohen me 5 vjet burgim ndërsa nëse zbatohet maksimumi i përgjithshëm është deri në 25 vjet burgim.
” Veprimet Djegëja ose në çfarëdo mënyre tjetër shkatërrimi apo dëmtimi i zonës industriale, bujqësore ose ndonjë zonë tjetër ekonomike, sistemin e trafikut, lidhjet e telekomunikimeve, pajisjet publike të ujit, apo ndonjë ndërtesë tjetër të rëndësishme për sigurinë, furnizimin e qytetarëve, ekonominë apo funksionimin e shërbimeve publike. Dënimi për këtë vepër është me jo më pak se 5 vjet burgim, e kur nuk ka maksimum të veçantë, zbatohet maksimumi i përgjithshëm i dënimit me burgim i cili është deri në 25 vjet burgim. Ndriçimin e këtyre rrethanave si dhe vënjen para përgjegjësisë së kryerësve, duhet ta bëjnë organet ligjzbatuese, të cilat duhet inkurajuar dhe lënë që puna e tyre të kryhet në mënyrë profesionale dhe në pajtim me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore si dhe në koordinim me aleatët, veçmas ata që kanë rol në fushën e sigurisë në pjesën veriore.”, ka thënë për Insajderin avokati Ardian Bajraktari.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.